Yuri Kim mesazh të qartë kryeprokurorit Çela: Vijoni ndjekjet e krimeve zgjedhore, shkelësit duhet të dënohen
Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijojnë të kenë vëmendjen tek zgjedhjet e 25 prillit dhe hetimet e krimeve zgjedhore.
Ambasadorja Juri Kim nga Pogradeci ia përsëriti kryeprokurorit para mediave rëndësinë që ka zbardhja e dosjeve të 25 prillit.
“Prokurori i përgjithshëm dhe unë folëm për rëndësinë për të vazhduar ndjekjen e krimeve zgjedhore dhe në të gjitha rastet, ku viktimat duhet të marrin atë që u përket atyre por gjithashtu edhe shkelësit duhet të dënohen. “
Politika shqiptare ka hyrë në javë të nxehtë, ku më 9 qershor pritet të votohet në parlament propozimi i mazhorancës për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.
Por SHBA qëndrojnë larg këtij debate në këtë fazë.
“Sot doja të fukusohesha vetëm tek drejtësia dhe kordinatorët e viktimave" u shpreh zonja ambasadore
Diplomatja amerikane dhe kryeprokurori u takuan sot paradite në Pogradec me koordinatorët për viktimat pranë prokurorive të Elbasanit, Pogradecit e Korçës, të cilëve u njohën rol të rëndësishëm në reformën në drejtësi.
“Koordinatorët luajnë një rol të rëndësishëm për reformën në drejtësi në Shqipëri dhe kështu donim të shihnim si po shkonin dhe çfarë mund të bëjmë më shumë për të ju ofruar mbështetje” u shpreh zonja Kim.
“Takimi u fokusua në mbështetjen që duhet t’i japim forcimit të tyre të mëtejshëm, duke pasur në fokus situatën e krimeve në shoqërinë shqiptare, ndaj femrave, ndaj të miturve, ndaj më të dobëve” u shpreh kryeprokurori Çela.
Në takimin me dyer të mbyllura, sipas njoftimit të Ambasadës Amerikane, diplomatja theksoi se dhuna ndaj grave duhet të ndiqet penalisht.

