Xholi, Kondili dhe Dumani në garë për kreun e SPAK, fitues shpallët ai që merr më shumë vota në KLP
Kreu aktual i Prokurorisë së Posaçme është në muajin e fundit të mandatit të tij në krye të institucionit ndërsa Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka nisur procedurat për përzgjedhjen e titullarit të ri. Në garë për këtë post janë tre prokurorë Altin Dumani, Edvin Kondili dhe Andand Xholi ndërsa afati përfundimtar i pranimit të kandidimit përfundon në mesnatën e 2 nëntorit.
Drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme që do të zëvendësojë Arben Krajën në krye të institucionit pritet të zgjidhet brenda 45 ditëve të ardhshme.
Thirrjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të kandiduar për postin e drejtuesit të SPAK deri tani i janë përgjigjur tre prokurorë që janë aktualisht pjesë e këtij institucioni.
I pari që dorëzoi kandidaturën ishte prokurori Adnand Xholi, i cili ka një eksperiencë të mëparshme në drejtimin për disa muaj edhe të ish prokurorisë së krimeve të rënda.
Kandidati i dytë në radhë, sipas datës së regjistrimit është Edvin Kondili, i cili ka qenë më parë prokuror i krimeve të rënda dhe ndërsa pas zgjedhjes në Prokurorinë e Posaçme ka mbajtur postin e drejtuesit të linjës antikorrupsion.
Në garë është regjistruar edhe prokurori Altin Dumani, i cili është aktualisht edhe zëvendësdrejtues i SPAK dhe njëkohësisht edhe kreu i strukturës së Luftës Kundër Krimit të Organizuar. Dumani ka qenë më herët edhe prokuror apeli dhe drejtues I task forcës antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës.
Afati për dorëzimin e kandidaturave është përcaktuar mesnata e 2 nëntorit ndërsa kreu i ri do të zgjidhet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë në mesin e dhjetorit.
Pas dorëzimit të kandidaturave Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të verifikojë dosjet e kandidatëve për të parë nëse ka apo jo pengesa ligjore që nuk e lejojnë kandidimin.
Më pas pritet që kandidatët të paraqiten në një seancë ku do të prezantojnë programet e tyre dhe do të jenë votat e KLP-së ato që do të përzgjedhin drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme. Kryeprokurori aktual i SPAK Arben Kraja, të cilit I mbaron mandate si drejtues në datën 18 dhjetor, do të vijojë detyrën si prokurori i thjeshtë i SPAK edhe për 6 vjet të tjera deri në përfundim të afatit 9 vjeçar.
Aktualisht Prokuroria e Posaçme ka në përbërjen e saj 17 prokurorë nga 20 që është organika e përcaktuar në kushtetutë. Në mënyrë të përsëritur, nga kreu aktual ka kërkuar plotësimin e institucionit me prokurorë të tjerë me qëllim përballimin e fluksit të punës.


