Xhafaj: SPAK dhe BKH pa zyra, Gjykata e Lartë në gjendjen më të keqe, Magjistratura dhe harta e re gjyqësore pa buxhet
Hartuesi kryesor i reformës në drejtësi, Fatmir Xhafaj, vlerësoi mbështetjen që qeveria i jep kësaj reforme me buxhetin 2022.
Por ai ngriti shqetësimin se një sërë problematikash në institucionet e drejtësisë nuk janë adresuar në të.
Nga foltorja e Kuvendit Xhafaj dhe se SPAK, 2 vite pas nisjes së punës debat kryesor ka mungesën e zyrave.
Nga ana tjetër vakancat në gjykata kanë shkaktuar problematika të mëdha.
Ndërkohë magjistratura dhe harta e gjyqësore që shihen si zgjidhje nuk kanë buxhet pas.
Xhafaj risolli në vëmendje edhe premtimin e qeverisë për ndërtimin e një Gjykate të re të Lartë, duke nënvizuar se nuk janë gjetur akoma fondet për projektin.
Xhafaj: Buxhetimi për institucionet e drejtësisë dhe ato të sigurisë nuk mund të jetë i ngjashëm me programimin rutinor të institucioneve në varësi të ekzekutivit.E papranueshme që kur kanë kaluar mbi 2 vjet nga fillimi i punës së SPAK sot ende flitet për mungesë zyrash për prokurorët dhe hetuesit e BKH.Më keq akoma, ende nuk qenkan zgjidhur mosmarrëveshjet për fondet buxhetore për OPGJ e BKH që ligji u njeh detyrimin për ti rekrutuar proces që duhet të ishte mbyllur prej kohësh dhe ndoshta është një nga arsyet pse sot flitet për mbingarkesë në punën e prokurorëve të këtij institucioni.Të gjithë po flasin, strategjia ndërsektoriale për drejtësinë e miratuar nga qeveria e ka të mirëpërcaktuar faktin se dy nga instrumentetët kryesore për përmirësimin e situatës me vakancat e krijuara në gjykatë dhe prokurori janë rritja e numrit të studentëve të magjistraturës dhe harta e re gjyqësore.
Por buxheti ka pak reflektime në këtë aspekt. Ende nuk ka një përllogaritje të qartë të efekteve që ndryshimi i hartës sjell në terma afatshkurtër dhe afatmesëm, në nevojat për mbështetje logjistike dhe financiare si dhe asnjë angazhim për mbështetjen me fonde shtesë për shkollën e magjistraturës për rritjen e ndjeshme të numrit të studentëve. Përgjigjia e marrë është se do ta rishohim në ndryshimet e buxhetit në mesin e vitit. E njëjtë është qasja dhe për një premtim shumëvjeçar nga qeverisja jonë që lidhet me kushtet e punës së Gjykatës së Lartë.
Mjediset aktuale janë në gjendjen më të keqe të mundshme për të përballuar volumin e jashtëzakonshëm të punës prej saj dhe përsëri nuk gjendet një fond fillimisht për hartimin e projektit të ndërtimin për gjykatën e re.Nga zgjidhja e re për Gjykatën e Lartë do të kishim një efekt zinxhir pozitiv për funksionimin shumë më të mirë të Gjykatës Kushtetuese dhe Kuvendit. Nuk mund ta kuptoj dot sesi për 30 OPGJ në kushtet e mbingarkesës së punës në prokurori u duhet të presin 3 vjet tu plotësohet kjo kërkesë apo që për një ndërhyrje të thjeshtë në kuadrin ligjor prokuroria duhet të vazhdojë odisenë shumëvjeçare të pagesave për shërbimet që marrin nga institucionet e tjera të këtij shteti. Absurditet i papranueshëm. Duhet të ndryshojë politibërja për këto intitucione.
Një mesazh pati dhe për drejtuesit e institucioneve të reja të drejtësisë.
Xhafaj: Ata janë sot njerëzit më të paguar në këtë vend.Krahas garancive për pavarësinë e plotë vendimmarrëse dhe funksionale. Një zgjidhje shumë e drejtë për misionin dhe përgjegjësinë që kanë në funksionimin e shtetit të së drejtës. Nuk janë dhuratë e askujt, investim nga taksat e qytetarëve të këtij vendi që ende kanë pritshmëri të larta nga sistemi i ri i drejtësisë. Me shpresën për më shumë përgjegjshmëri, transparencë dhe më shumë rezultate konkrete në dhënien e drejtësisë, shërbimet ndaj qytetarëve luftën kundër krimit të organizuar dhe veçanërisht pandëshkueshmërinë korruptive në nivele të larta. Besimin dhe mbështetjen e keni edhe përmes këtij buxheti, është koha të veproni, të justifikoni besimin dhe mbështetjen e jashtëzakonshme. Koha për të kthyer drejtësinë e munguar për të bërë drejtësi para ligjit.

