Vrasje për hakmarrje në Peqin, ekzekutohet Albi Bashaliu, i vëllai vrau bashkëfshatarin
Krimi goditi sërish. 35-vjeçari Albi Bashaliu u ekzekutua mëngjesin e sotëm në Gjocaj të Peqinit. Autorët dyshohet se i kishin zënë pritë dhe e lanë të vdekur në mes të rrugës. Vrasja dyshohet për hakmarrje, pasi 35- vjeçari ka qenë i dyshuar për një atentat, ndërsa i vëllai vrau 6 muaj më parë një bashkëfshatar.
Një 35-vjeçar u ekzekutua paraditen e 27 dhjetorit 2021 në Gjoçaj të Peqinit në një ngjarje që duket se ishte e organizuar si atentat.
Viktimë mbeti Albi Bashaliu, personi që shihni në këtë foto.
Ai u gjet i vrarë me armë zjarri në këtë rrugë pranë një prej lokaleve të fshatit, siç njofton policia e Elbasanit.
Dyshimet janë se autori ose autorët, i kanë bërë pritë 35-vjeçarit dhe e kanë ekzekutuar në mes të rrugës.
Disa metra larg trupit u gjet edhe një makinë e djegur plotësisht.
Burimet thonë se mjeti i përket autorëve të vrasjes, të cilët pas krimit janë larguar me makinën e 35-vjeçarit Bashaliu.
Megjithatë ekspertët po punojnë për të verifikuar këtë raportim.
Disa persona, banorë të zonës që ndodheshin në lëvizje ose në lokalin e fshatin po merren në pyetje me qëllim identifikimin e autorit.
Burimet thonë se të paktën një banor i zonës ka qenë dëshmitar i vrasjes.
Viktima, Albi Bashaliu, rezulton një person i njohur për policinë e Elbasanit.
Në vitjn 2017 ai është akuzuar për një atentat ndaj dy personave në Peqin.
Ndërsa vëllai i tij, Leonard Bashaliu, ndodhet në burg pasi në qershor të këtij viti vrau bashkëfshatarin e tij Albert Xhahysa.
Pista kryesore mbi të cilën po hetohet vrasja është ajo e hakmarrjes, bazuar mbi të shkuarën e viktimës dhe të vëllait të tij.
Krimi vuri në alarm policinë e Elbasanit.
Në zonë janë ngritur postblloqe dhe po ushtrohen kontrolle në banesat e personave që dyshohet se mund të kenë lidhje me vrasjen.
Ndërsa ekspertët e kriminalistikës po punojnë për dokumentimin e krimit që tronditi edhe një herë vendin në ditët e fundit të vitit.
-
Përroi del nga shtrati, izolohen banorët në Lazarat
27 Dhjetor, 09:34 -
Australia regjistron vdekjen e parë të Omicron
27 Dhjetor, 09:30