Vrau fqinjin në derë të shtëpisë! Autori: U vetëmbrojtja, gruaja e tij e nxiti
Gjykata e Pogradecit caktoi masën "arrest me burg" për Fatmir Manellari, i cili në fillim të shtatorit vrau me mjete presesë fqinjin Safet Hyskollari pas një debati për kufijtë e një prone. 63-vjeçari në gjykatë shprehu pendesë, ndërsa fajësoi bashkëshorten e viktimës se nxiti konfliktin.
Me kokën ulur pas kafazit të xhamit dhe lot në sy për të shprehur pendesë, Fatmir Manellari, u përball në gjykatën e Pogradecit me akuzën e vrasjes së fqinjit Safet Hyskollari pas një konflikti për kufirin e një prone.
63-vjeçari deklaroi para togave të zeza se nuk donte ta vriste bashkëfshatarin por reagoi për vetëmbrojtje. Theksoi se konflikti që përfundoi në krim u nxit nga bashkëshortja e viktimës.
"Nuk e kam bërë vrasjen me dashje, po bisedonim kur doli gruaja e tij dhe thirri: Vrite atë, ne kemi lekë dhe e heqim qafe! Shikoni kamerat, ai më sulmoi i pari. Unë jam vetëmbrojtur. Situata u acarua shumë dhe më pas e kam goditur, më janë errësuar sytë."
Faktin që ngjarja është filmuar nga një kamera sigurie e pranoi dhe prokurori por pamjet sipas tij tregojnë një dinamikë tjetër nga ajo që pretendon 63-vjeçari Manellari, të cilin gjykata vendosi ta mbajë në "arrest me burg".
Krimi u shënua me 7 shtator 2022 në fshatin Gështenjas ndërsa Manellari u arrestua tre ditë më parë, pas rreth 3 muajve në arrati, ku ai jetonte në pyje mes Pogradecit dhe Loxhanit.




