“Masakra e Çoles” vijon në Vlorë, 42-vjeçari dyshohet se u ekzekutua për hakmarrje, zbarkon RENEA

Hakmarrja është pista kryesore ku po hetohet ekzekutimi me stil mafioz, në derë të shtëpisë të 42-vjeçarit Shkëlzen Velaj, mbrëmjen e së mërkurës (2 qershor) në Vlorë. Ai është vëllai i një prej viktimave të asaj që njihet si "masakra e Çoles", çka ka ngritur dyshime për riaktivizimin e një përplasje të vjetër mes grupeve kriminale në Vlorë.

Ekzekutimi i stilit mafioz i 42-vjeçarit, Shkëlzen Velaj, që shihni në foto, riktheu në Vlorë hijet e përplasjes së vjetër mes grupeve kriminale në qytetin bregdetar që ndër vite ka prodhuar viktima.

Hakmarrja është pista kryesore e hetimit, kjo e përforcuar nga fakti se viktima është vëllai Ardi Velaj, i mbetur i vrarë në atë që njihet si masakrën e Çoles, ndodhur në 7 Prill të 2015-ës.

Shkëlzen Velaj u vra me të paktën 15 plumba në derën e banesës ku tentoi ti  shpëtojë sulmit, por nëna e moshuar që jetonte bashkë me të, nuk arriti ta hapë në kohë derën, siç tregojnë fqinjët.

Krimi ndodhi 10 minuta para mesnatës, ku 42-vjeçari po kthehej në shtëpi në lagjen “24 Maji”.

Dyshohet se ai ka qenë për një kohë në ndjekje nga autorët, ndaj ka lënë makinën dhe ka nxituar drejt shtëpisë.

Në katin e pestë ku banonte, ai u sulmua nga afër me një karrikator kallashnikovi çka i shkaktoi vdekjen.

Autorët besohet se ishin të paktën 2, ndërsa automatiku dhe makina që dyshohet se u përdorën për vrasjen u gjetën të djegura në fshatin Risili.

Prej aty më pas kanë humbur gjurmët dhe deri më tani u kanë shpëtuar postblloqeve dhe aksioneve të forcave speciale RENEA që kanë zbarkuar në Vlorë.

Policia tregohet e rezervuar, por burime thonë se banesa e 42-vjeçarit ishte e pajisur me kamera sigurie, çka forcon dyshimet se ai trembej për jetën, ndërsa në anën tjetër ato mund të kenë kapur pamje të autorëve.

Banorë të pallatit, familjarë por dhe persona të tjerë që mund të kenë dijeni apo kanë pasur lidhje me 42-vjeçarin janë marrë në pyetje në polici në funksion të zbardhjes së vrasjes.

Krahas hakmarrjes, një tjetër pistë e hetimit është ajo e konflikteve për çështje droge, pasi 42-vjeçari në vitin 2019 është arrestuar për trafik droge, dhe për shkak të problemeve me ligjin kishte ndryshuar emrin nga Shkëlzen në Altin Velaj.

EMISIONET