Vrasja e Taulant Manaj, ndryshon akuza për drejtuesin e makinës ku ishin autorët

Vrasja me 5 plumba e Tauland Manaj, në 3 mars 2021 në qendër të Vlorës, pritet të sjellë ndryshimin e akuzave për dy nga 4 personat protagonist në këtë ngjarje. Gjatë kryerjes së hetimeve është provuar se Hansi Jonuzi, që momentalisht ndodhet në burg, rezulton të mos ketë qëlluar asnjë plumb drejt viktimës.

Sipas hetimeve të kryera deri në këtë fazë ku ndodhet çështja, Jonuzi, ka qënë shoferi i automjetit “Ford-Fokus”, nga zbritën Skedjan Gabrani dhe Eltoj Hajnaj, ku njëri prej tyre qëlloi menjëherë me 5 plumba në drejtim të Tauland Manaj, duke e lënë këtë të fundit të vdekur në vend.

Jonuzi, ka kërkuar lirimin nga qelia, kundrejt një garancie pasurore, dhe me argumentin se nuk ka marë pjesë në vrasje. Sipas shumë gjasave, pritet që në ditët në vijim Hansi Jonuzi të akuzohet për veprën penale të “Përkrahjes së autorëve të krimit”.

Ditën e vrasjes së Manaj, Jonuzi ndodhej në Vlorë, ku kishte firmosur tek një noter blerjen e një dyqani. Më pas ai ka shkuar në bankë dhe mandej është takuar me dy personat, Skedjan Gabrani dhe Elton Hajdaj, të cilët i ka marë në makinë.

Këta të dy kanë parë në rrugën “Transbalkanike”, Taulant Manaj me të cilin kanë shkëmbyer ofendime dhe dukshëm në këto pamje filmike, dallohen se Gabrani dhe Hajdaj zbresin nga makina dhe njëri prej tyre qëllim 5 herë me automatik në drejtim të Manaj.

Në ikje e sipër, automjeti që drejtohej nga Hansi Jonusi, ku brenda të cilit ndodheshin Gabrani dhe Hajdaj, është qëlluar plot tre herë me armë zjarri nga Sali Zenelaj që ndodhej në një automjet “Renault Laguna” dhe që momentalisht është shpallur në kërkim.

Sali Zenelaj, i cili është një i afërm i viktimës Tauland Manaj, pritet të akuzohet për veprën penale të “Vrasjes së kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”, për shkak se ka qëlluar menjëherë sapo ka parë që kushëriri i tij, Manaj, është qëlluar me armë.

Zenelaj vijon të jetë në kërkim së bashku dhe dy personat e tjerë Skedjan Gabrani dhe Elton Hajdaj. I vetmi person që është arrestuar është Hansi Jonuzi, makina e të cilit është ndjekur nga një patrullë policie në zonën e Nartës, deri në arrestimin e tij, pranë ish-Fushës së Aviacionit.

Në makinën tip “Ford-Fiesta”, është konstatuar xhami i bagazhit i thyer dhe dy vrima plumbash në pjesën e prapakolpit të automjetit.

EMISIONET