Vokshi: Rama po mundohet të kapë AMA-n, do të vendosë drejtuese zëdhënësen e tij
E ftuar në Ora News me gazetaren Matilda Mcini, deputetja e zgjedhur në 25 prill, Albana Vokshi u shpreh se kryeministri po mundohet që të kontrollojë institucionin e AMA-s.
Sipas saj, me ndryshimet e paketës së famshme anti-shpifja kështu AMA do të kontrollojë të gjitha mediat, duke përfshirë edhe ato online.
Vokshi: Kjo është një ditë tjetër për demokracinë, sepse liria e medies është një shtyllë e demokracisë. E drejta për informim dhe për transparencë është një e drejtë kushtetuese. Mënyra se si Edi Rama po vepron ditët e fundit me AMA-n, po tregon se është armiku kryesor i medieve. Qysh nga viti 2013 ka marrë akte dhe veprime në dëm të lirisë së media, dhe këtë e tregon edhe indeksi i lirisë së medies dhe raportet ndërkombëtare. Para pak javësh ndërroi anëtarët e këshillit drejtues të RTSH-së, ku në fakt një gjë e tillë duhet të bëhet sipas ligjit. Një gjë e tillë u bë pa transparencë dhe vuri në bord 7 persona ushtarë të tij. Kështu ai kontrollon RTSH-në.
Po ashtu ai po kërkon që të zëvendësojë në bordin drejtues të AMA-s. Me ndryshimet e paketës së famshme anti-shpifja kështu AMA do të kontrollojë të gjitha mediat, duke përfshirë edhe ato online. Sepse këto media janë ndër kritikueset dhe të bërjes publike të korrupsionit dhe keqqeverisjes së Edi Ramës. Ne kemi kërkuar që të ndalohet një proces i tillë. Zgjedhje të tilla duhet të jenë të balancuara, një gjë që u faktua dhe u rekomandua edhe nga Komisioni i Venecias, për të ngritur një bord pa ndikim politik, me anëtarë që zgjeshin nga Kuvendi dhe nga shoqëria civile.
Vokshi shtoi se Edi Rama siç duket do të vendosë zëdhënësen e tij, Armela Krasniqi në krye të këtij bordi duke kërkuar që të mos ketë opozitë në këtë institucion.
Vokshi: Edi Rama siç duket do të vendosë zëdhënësen e tij, Armela Krasniqi në krye të këtij bordi. Kështu po shkelet ligji duke bërë përzgjedhje nga një komision i cili nuk ka opozitë fare. Rekomandohet që të ketë konsensus dhe opozita të ketë fjalën e saj. Rama po nxiton që të kapë edhe ato institucione që nuk ka kapur akoma. Ne i bëjmë thirrje që të ndalojë këtë proces dhe uzurpimin e institucioneve që duhet të jenë të pavarur, sepse po bëjmë hapa pas në raport me standardet dhe po largohemi nga BE-ja.


