VIDEO+EMRAT/ Kultivimi i kanabisit, me fenelina e policia deri te dronët për t'i ruajtur arat në Korçë, arrestohen 2 financuesit

Pas hetimeve intensive me metoda proaktive, Policia ka goditur një grup kriminal të përfshirë në kultivimin, prodhimin dhe trafikimin e kanabisit në territorin e fshatit Polovisht, Maliq.

Lënda narkotike e prodhuar ishte magazinuar në fshatin Voskop të Korçës, ku kryhej procesi i tharjes dhe përpunimit, me qëllim transportimin e saj drejt Greqisë.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Grupi”, u arrestuan dy financuesit e kultivimit, shtetasit Leonard Xhemollari 45 vjeç, banues në Maliq dhe  Gentian Muço 48 vjeç, banues në Korçë.

Ndërkohë, u shpallën në kërkim dy organizatorët e trafikimit, shtetasit  Rexhildo Berberi 42 vjeç dhe Abidin Guraj 35 vjeç, të dy banues në Korçë.

VIDEO+EMRAT/ Kultivimi i kanabisit, me fenelina e policia deri te dronët

Të dy organizatorët dyshohet se kanë qenë të përfshirë në katër raste të mëparshme të trafikimit të drogës, të goditura nga Policia.

Gjatë kontrolleve u sekuestruan fenelina policie, pajisje GPS, kamera dhe pajisje regjistrimi të fshehta, targa automjetesh, USB, karta memorie, laptopë, dronë, si dhe kontrata shitblerjeje dhe përdorimi të automjeteve të ndryshme.

Në banesën e njërit prej të shpallurve në kërkim u gjet edhe një ambient i modifikuar për punime mbi automjete.

Operacioni vijon për të identifikuar dhe dokumentuar personat e tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Materialet u referuan në Prokurorinë e Korçës për veprime të mëtejshme për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Trafikimi i narkotikëve”.

EMISIONET