VIDEO/ Policia e Fierit bën “namin”, sekuestron 90 komplete me çadra dhe shezlongë në plazhin e Darëzezës

Drejtoria Vendore e Policisë Fier njofton: “Lirohet një hapësirë në plazhin e Darëzezës. Sekuestrohen rreth 90 komplete me çadra dhe shezlongë.

Procedohet penalisht pronari i subjektit që kishte vënë objektet, në kundërshtim me ligjin.

Me objektiv lirimin e hapësirave publike, të zëna pa autorizim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier dhe ato të Seksionit të Krimit Ekonomik, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Bashkiake, po kryejnë kontrolle sistematike në zonat urbane dhe bregdetare.

Gjatë këtyre kontrolleve u konstatua se në një stacion plazhi në Darëzezë, ishin vënë pa leje, rreth 90 komplete me çadra dhe shezlongë.

Për këtë rast u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për pronarin e subjektit që kishte vënë këto objekte, shtetasin D. M., 26 vjeç, për veprat penale “Pushtimi i tokës”, "Fshehja e të ardhurave" dhe "Ushtrimi i aktivitetit tregtar i pa pajisur me kasë fiskale".

Kontrollet vijojnë. Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme”.

EMISIONET