Video/ Me gomarë dhe bidonë banorët e fshatit Koritëz kërkojnë ujë, vijon beteja për Sinecin
Në Kuçovë vijon “lufta” mes fshatrave pro e kundër ndërtimit të një Ujësjellësi me ujin e burimit të Sinecit. Këtë të martë në protestë dolën banorë të zonave që presin të përfitojnë nga projekti i paditur deri në SPAK.
Kjo është situata që krijohet në Koritëz të Kuçovës kur në fshat mbërrin autoboti që shet ujë të pijshëm (shiko videon).
Banorët dalin ta marrin me kova e bidona. Një pjesë e transportojnë me krah e të tjerë drejt banesave ku thonë se nuk u shkon asnjë pikë ujë.
Zgjidhje për atë që e cilësojnë hallin e jetës e prisnin nga Ujësjellësi me ujin e burimit të Sinecit, ndërtimi i të cilit nga ana tjetër kundërshtohet nga banorët e Lumasit.
Ndaj këtë të martë u mblodhën fshatçe në protestë.
"Siç e shihni të gjithë na kanë lënë në harresë. Edhe tani që ne menduam se do t'i vinte fundi zgjidhjes me këtë projekt, aq shumë u gëzuam sa Perëndia e di. Ata që kundërshtojnë ta vënë njëherë veten në vendin tonë si po jetojmë ne. Jemi pa pikën e ujit në shtëpitë tona. Ne nuk kemi as për të pirë, jemi bërë si shkretëtirë," thotë një banore.
"Fshati ynë po bën 30 vjet pa ujë. Ka qenë një ujësjellës në vitin 2000 dhe ai ujësjellës u prish. Ne jemi pro këtij investimi sepse duam ujë për të pirë," tha kryeplaku i fshatit Guxim Gjeli.
Projekti i Ujësjellësit me ujin e burimit të Sinecit ka shkaktuar përplasje mes fshatrave pro e kundër projektit.
Banorët e Lumasit thonë se nuk do ta lejojnë tu marrin ujin, ndërsa banorët në Koritëz kërkojnë ndërhyrjen e shtetit.
Protesta u monitorua nga forca të shumta të Policisë për të shmangur tensionet mes banorëve të fshatrave në luftë për ujin e Sinecit.

