(VIDEO) Durrës/ 8 kg k*nabis të fshehura në shtëpinë e braktisur, arrestohet 30-vjeçari në flagrancë
Një operacion i policisë në Durrës ka çuar në zbulimin e një rasti të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.
Aksioni, i koduar “Banesa”, u zhvillua nga specialistët e Hetimit të Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale.
Në pranga ra një 30-vjeçar, i identifikuar me inicialet E. K., banues në Durrës.
Sipas të dhënave, i riu kishte fshehur një sasi droge në një banesë të pabanuar pranë shtëpisë së tij, në lagjen nr. 8. Ai u kap në momentin kur po tentonte të merrte lëndën narkotike.
Gjatë kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi rreth 8 kilogramë lëndë të dyshuar Cannabis Sativa, që u mor si provë materiale.
Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse persona të tjerë janë të përfshirë në këtë rast.
Dosja i është kaluar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.


