VIDEO/ Babai plagosi të bijën e më pas vrau veten, i afërmi: Vajza ishte divorcuar, fëmijët i kishte mbajtur dhëndri…

Lushnja u trondit ditën e sotme nga një ngjarje e rëndë kur babai Behar Musaku plagosi me armë gjahu vajzën e tij Rudina Musaku dhe më pas vrau veten.

Rudina Musaku, nënë e dy fëmijëve, ishte divorcuar nga bashkëshorti i saj. Ajo punonte si kamariere në Tiranë, ndërsa fëmijët e saj, 16 dhe 17 vjeç, rrinë më shumë me ish-bashkëshortin.

Rudina kishte shkuar këtë të Dielë për vizitë te i ati, por pas debateve të nxehta mes tyre, ky takim mori një rrjedhë tragjike.

Gjendja e saj shëndetësore është e rëndë pasi është qëlluar me armë gjahu teke nga një distancë e afërt.

Çfarë tha policia?

Rreth orës 15:15, në lagjen “18 Tetori”, Lushnjë, shtetasi B. M., rreth 82 vjeç, dyshohet se pas një konflikti të çastit, ka plagosur me armë gjahu të cilën e dispononte me leje, vajzën e tij, shtetasen R. M., rreth 40 vjeçe, dhe më pas dyshohet se ka vrarë veten.

Shtetasja R. M., ndodhet në spitalin e Lushnjës, në kujdesin e mjekëve, në gjëndje të rëndë shëndetësore.”- njofton policia.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave, dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.

Çfarë deklarojnë të afërmit?

Familjarët e Rudina Musakut tregojnë se, Behar Musaku, para se ta qëllonte me çifte të bijën, i ishte drejtuar me fjalët: “Pse bredh?! Je pa burrë, mos ik lart e poshtë!”.

Një tjetër person i afërm i familjes Musaku ka treguar se 40-vjeçarja ishte e divorcuar, ndërsa fëmijët qëndronin me babain e tyre. Ai tregon se mes tyre nuk ka patur probleme më parë.

“Se si kanë qenë ata nuk e di. Vajza ishte e divorcuar, fëmijët i kishte mbajtur dhëndri. Vajza jetonte vetëm në Tiranë. Unë e kam baxhanak. Nuk e di si i kanë pasur rrethanat. Nuk kanë pasur më parë probleme”, tha i afërmi i familjes.

EMISIONET