SHQIPËRIA, NJË KONTRAST BUKURISH/ “La Repubblica”: Transformimin nga Tirana moderne drejt Beratit historik

E përditshmja italiane “La Repubblica” e përshkruan Shqipërinë si një vend kontrastesh, ku e shkuara dhe e tashmja bashkëjetojnë në mënyrë të natyrshme. Në një reportazh kushtuar udhëtimit nga Tirana në Berat, gazeta ndalet te transformimi i vendit, zhvillimi urban i kryeqytetit dhe pasuria historike e qytetit muze. Sipas medias italiane, Shqipëria është një destinacion që befason vizitorët në çdo hap.

Nga rrugët moderne të Tiranës, me kullat e reja dhe automjetet elektrike, deri te peizazhet tradicionale të Beratit, Shqipëria shfaqet si një vend ku historia dhe zhvillimi ecin krah për krah.

Kështu e përshkruan e përditshmja italiane “La Repubblica” udhëtimin në vendin tonë, duke e cilësuar Shqipërinë si “Tokën e Shqiponjave”, ku kontrastet mes së vjetrës dhe së resë janë pjesë e identitetit të saj.

Artikulli nis me pamje nga fshatrat pranë Beratit, ku karrocat e tërhequra nga mushkat bashkëjetojnë me automjetet elektrike që qarkullojnë në rrugët e Tiranës.

Sipas gazetës, të njëjtin kontrast e pasqyron edhe arkitektura e kryeqytetit, ku ndërtesat e periudhave të ndryshme historike qëndrojnë pranë kullave moderne që dominojnë qendrën e qytetit.

“La Repubblica” e cilëson Shqipërinë si një vend që ruan traditat e Ballkanit, ndërsa synon njëkohësisht integrimin dhe zhvillimin europian.

Reportazhi ndalet edhe te transformimi ekonomik dhe urban që ka përjetuar vendi gjatë tre dekadave të fundit, duke theksuar se Shqipëria ka kaluar nga një prej vendeve më të varfra të Europës në një shtet që po ndryshon me ritme të shpejta.

Udhëtimi nga Tirana drejt Beratit përshkruhet si një itinerar ku ndërthuren natyra, historia dhe trashëgimia kulturore.

Gazeta italiane vlerëson atmosferën e gjallë të Tiranës, jetën e natës, zhvillimin urban dhe monumentet historike si Bunk'Art, Xhaminë e Et'hem Beut dhe Piramidën, të cilat dëshmojnë periudha të ndryshme të historisë së vendit.

Ndalesa përmbyllëse është Berati, qyteti i mbrojtur nga UNESCO, i njohur për kalanë e banuar, Muzeun Kombëtar Onufri, lagjet historike Mangalem dhe Goricë, si edhe Teqenë Halveti.

Sipas “La Repubblica”, pikërisht ky bashkëjetim mes historisë, kulturës dhe zhvillimit modern e bën Shqipërinë një destinacion që vazhdon të të befasojë në çdo hap.

EMISIONET