Verdi Morava i lirë pas 8 viteve burg. Shqipëria nuk ka sistem deradikalizimi në burgje
Sistemi shqiptar i burgjeve nuk ofron trajtimin e duhur për de-radikalizimin e personave të akuzuar dhe të dënuar për veprimtari ekstremiste dhe terroriste. Pasi ka kryer dënimin prej 8 vite e dy muaj burg për dërgimin e shtetasve shqiptarë në frontin e luftës në Siri, Verdi Morava thotë se trajtimi për ta ka qenë si për të gjithë të dënuarit, pa asnjë program rehabilitimi.
Verdi Morava qëndroi për 8 vite e dy muaj në burg pasi u dënua për dërgimin e shtetasve shqiptarë në frontin e luftës në Siri.
”Takova shokë që më pritën, të afërm që kisha në atë qytet.”
Ai thotë se Shqipëria nuk ofron trajtimin e duhur për personat e dënuar për veprime radikale, të dhunshme dhe terroriste.
“Nëse vërtetë dikush do të jetë terrorist, s’ka nevojë të jetë i lidhur me fenë sepse terrorizmi është koncept shumë i gjerë.”
Morava thotë se në 6 institucionet e burgjeve ku ka vuajtur dënimin, nuk ka pasur asnjëherë trajtime de-radikalizimi për personat e dënuar për veprime ekstremiste.
“ Për të gjithë të burgosurit nuk ekziston jo për ne, sepse kam dëgjuar në televizor se për ne është punuar, po punohet për tu redukuar apo përpunuar apo siç mund ta mendojnë. Nuk ekziston fare për ne domethënë ata kanë gënjyer nëpër media sepse kam parë dicka.”
Mungesa e trajtimit të duhur gjatë vuajtjes së dënimit, vërehet edhe në përgjigjet që jep pasi pyetet për organizatën terroriste të shtetit Islamik.
“ Unë nuk kam qenë atje dhe nuk e di si tu përgjigjem për këtë.”
Pas kryerjes së dënimit me 8 vite e dy muaj burg, Verdi Morava mban sërish qëndrim mohues për akuzat.
Gjykata e Apelit për krimet e rënda ne 2016 I deklaroi fajtorë dhe i dënoi 9 personat e akuzuar të dosjes së imamëve. Ndaj tyre u dha një total prej 92.3 vitesh burg për akuzën se kishin rekrutuar shtetas shqiptarë në dy xhami të Tiranës të cilët pasi i kishin indoktrinuar i dërgonin në Siri për të luftuar në krah të shtetit islamik.
Si pasojë e kësaj skeme kriminale në Siri kanë mbetur më shumë se 35 qytetarë shqiptarë, kryesisht gra e fëmijë.

