Veliaj humb përballë Dukës, Gjykata rrëzon manovrat e kryebashkiakut ndaj FSHF-së
Kallëzimi penal i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ndaj Armand Dukës është rrëzuar përfundimisht nga Gjykata e Tiranës. Kjo e fundit ka lënë në fuqi vendimin e prokurorit, i cili hetoi denoncimin e bërë nga Erion Veliaj dhe arriti në përfundimin se ai nuk përmbante asnjë provë për shkelje ligjore nga kreu i FSHF-së.
Gjykata e kryeqytetit ka pranuar kërkesën e prokurorisë së Tiranës, për pushimin e ndjekjes penale ndaj kreut të FSHF-së Armand Dukës dhe 3 anëtarëve të tjerë të Federatës, që në muajin shkurt 2022 u kallëzuan penalisht nga Erion Veliaj.
Vendimi është marrë pak ditë më parë nga gjyqtari Sokol Pasho, i cili ka certifikuar humbjen e kryebashkiakut Veliaj përballë Armand Dukës.
Veliaj në muajin shkurt 2022 ndërmori një sërë veprimesh duke sulmuar dhe shantazhuar kreun e FSHF-së Duka, për të ndaluar rikandidimin e tij për në krye të Federatës.
Kërcënimet përfunduan në prokurorinë e Tiranës, e cila nisi një hetim penal për “Falsifikim të dokumentave dhe formularëve”, çka solli pezullimin nga detyra të Armand Dukës dhe Ardian Haçit dhe Ilir Shulkut.
Por pas 6 muaj hetime, prokurori i çështjes Arben Agovi vendosi të pushonte dosjen, duke ja çuar vendimin e tij gjykatës për miratim.
Gjyqtari, Sokol Pasho, një javë më parë ka pranuar kërkesën e prokurorisë, duke sjellë rrëzimin plotësisht të pretendimeve të Erion Veliajt, të cilat mesa duket kanë qenë vetëm një manovër për ndërhyrje në zgjedhjet e FSHF.
Përplasja Veliaj-Duka erdhi në një periudhë kur Federata Shqiptare e Futbollit po organizonte fushatën zgjedhore për zgjedhjen e kryetarit të FSHF-së.
Kryebashkiaku Veliaj u kthye në “partizanin” kryesor të sulmeve politike ndaj FSHF-së dhe zyrtarëve të saj, duke çuar agravimin e situatës deri në pikën e shantazhimeve, kërcënimeve dhe vendosjen e tritolit në banesën e kreut të FSHF-së, Armand Duka në Durrës.
Njëherësh inspektorët e Tatimeve u vërsulën në bizneset e Dukës, për të kontrolluar aktivitetin tregtar të tyre.
Situata doli jashtë kontrollit, kur Gjykata penale e Tiranës pranoi në fund të muajit shkurt të këtij viti kërkesën për pezullimin nga detyra të Armand Dukës, Ardian Haçit dhe Ilir Shulkut.
Ky vendim bëri që kreu i UEFA-s, Aleksandër Ceferin, të zbarkojë në Tiranë, duke zhvilluar takime me Dukën dhe kryeministrin Edi Rama.
Por sulmet politike dhe pengesat artificiale të krijuara nga Veliaj, nuk e bllokuan zhvillimin e votimit për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili u rizgjodh President në 15 mars 2022 me shumicë votash, kundrejt Sulejman Starovës që mori 4 vota dhe Dritan Shakohoxhës që s’mori asnjë votë.