Veliaj do ta kthej në beton dhe kulla, Lila letër Ramës: Jam shokuar, ktheje në komunitet sportiv!

Veliaj do ta kthej në beton dhe kulla, Lila letër Ramës: Jam

E ndërsa kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka firmosur shkatërrimin e fushës së sportit pranë Fakultetit të Inxhinierisë, ka reaguar edhe ish-futbollisti i Kombëtares Andi Lila.

Lila i ka drejtuar një letër të hapur kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama ku i kërkon që të ndryshojë një vendim të marrë së fundmi nga Bashkia e Tiranës.

Lila shkruan se është i shokuar nga një lajm i tillë dhe se me një vendim të tillë Bashkia Tiranë i ka hapur rrugën shkatërrimit të një kompleksi sportiv që i shërben jo vetëm ushtruesve të sportit.

Lila thekson se qeveria e Ramës kishte një projekt për zhvillimin e sportit e për këtë qeveria do të jepte një fond prej 5 milion euro KOKSH, me qëllim zhvillimin e sportit për moshat e reja e fëmijët.

Ai kërkon që kompleksi “Dajti” ku Lila beson se ka luajtur në rininë e tij Rama të kthehet në komunitet të sportit.

Letër e hapur e Andi Lilës:

Drejtuar: Kryeministrit të Shqipërisë Sh.T z.Edi Rama Z.Kryeministër:

Po ju drejtoj këtë letër të hapur jo si përfaqësues i sportit të një force politike apo si kryetar i një sindikate sportive.

Po ju drejtoj këtë letër si një ish-sportist (futbollist) një ish-sportisti (basketbollist).

Jam shokuar nga lajmi i bërë publik se Bashkia Tiranë e më konkretisht z. Erjon Veliaj me një vendim të datës 28.12.2021 ka ndryshuar destinacionin e kompleksit “Dajti” nga zonë sportive e rekreative në zonë banimi.

Me këtë vendim Bashkia Tiranë i ka hapur rrugën shkatërrimit të një kompleksi sportiv që i shërben jo vetëm ushtruesve të sportit, por edhe Universitetit të sporteve me qëllim për ta vënë këtë kompleks në dispozicion të babëzisë së ndërtimit.

Z. Kryeministër:

Nuk do ta kisha marrë mundimin ta shkruaj këtë letër të hapur nëse nuk do t’ju kisha dëgjuar juve disa ditë më parë kur deklaruat se: Qeveria juaj kishte një projekt për zhvillimin e sportit e për këtë qeveria do të jepte një fond prej 5 milion euro KOKSH, me qëllim zhvillimin e sportit për moshat e reja e fëmijët.

Në mos gaboj në këtë takim, ndër të tjera, i dhatë një detyrë ultimative Kryetarëve të Bashkive: Që të ruajnë dhe të shtojnë ambientet sportive.

Nuk besoj se Bashkia Tiranë është Republikë më vetë që nuk ndjek prioritetet dhe projektet qeveritarë siç është në rastin konkret, projekti për zhvillimin e sportit.

Z. Kryeministër

Që të mos dilni si një hipokrit në sytë e komunitetit sportiv që ndryshe thoni e ndryshe bëni, është në nderin tuaj që të anuloni këtë vendimin skandaloz të Bashkisë Tiranë.

Le të jetë kompleksi “Dajti” kompleksi i parë sportiv ku KOKSH të investojë një pjesë të fondit prej 5 milion euro që qeveria juaj ka vënë në dispozicion të sportit.

Kthejani kompleksin “Dajti” ku unë por besoj edhe ju keni luajtur në rininë tuaj, komunitetit të sportit.

Nga një ish-sportist për një ish-sportist dhe vetëm kaq.

Andi Lila

EMISIONET