Radhë 12 km drejt Shqipërisë, fluksi i lartë i udhëtarëve nga Kosova krijon kaos në Morinë
Deri në 12 kilometra arriti radha e automjeteve nga Kosova për të hyrë në Shqipëri përmes pikës kufitare të Morinit në ditën e dytë të zbatimit të masave shtrenguese kundër koronavirusit. Në doganë punohet me kapacitet të plotë, por procedura e kontrollit të dokumentacionit dhe fluksi i lartë i udhëtarëve nuk i shmang dot radhët.
Pamjet në video tregojnë radhën deri në 12 kilometra të automjeteve në tokën kosovare që prisnin të hynin në Shqipëri përmes pikës doganore të Morinës këtë të martë, 7 shtator.
Pas hyrjes në fuqi të masave shtrënguese kundër koronavirusit, situata në kufi ishte kaotike për të dytën ditë radhazi.
Udhëtarët thanë se pritën më orë me radhë për tu afruar deri në traun e doganës.
"3 orë pritje."
Për të hyrë në tokën shqiptare udhëtarët duhet të paraqesin pasaportën e vaksinimit, ose të provojnë se nuk janë mbartës të Covid.
Në rast të kundërt duhet të nënshkruajnë se do të vetëizolohen për 10 ditë.
Në Morinë punohet me kapacitet të plotë dhe procedura e verifikimit të dokumentacionit nuk zgjat shumë, por radhët është e pamundur që të shmangen edhe për shkak të fluksit të lartë të lëvizjes.
"Duke pritur që 3 orë, është pak tepër. Hera e dytë."
Ndërkohë situata raportohet e qetë në pikat e tjera doganore, ku aplikimi i masave të reja anti-Covid ka ndikuar në rënien e numrit të udhëtarëve.
Në Kapshticë 1448 persona hynë dhe 1884 të tjerë dolën në 24 orët e fundit.
Nga pika doganore e Qafë-Thanës, kanë hyrë 1667 dhe kanë dalë 1651 shtetas të huaj dhe shqiptarë.
Ndërsa në doganën e Kakavijës kanë hyrë 1792 udhëtarë dhe 2158 të tjerë kanë dalë nga Shqipëria.



