Vaksina vijnë, vaksina nuk ka, kaos dhe tensione në sheshin "Skënderbej" pasi qytetarët u kthyen bosh
Mungesa e vaksinave kineze po i lë qytetarët pa marrë dozën e dytë duke sjellë tensione tek qytetarët që kanë pritur në radhë në sheshin "Skënderbej". Disa prej të moshuarve thonë se janë larguar pa marrë injeksionin edhe disa ditë më parë, edhe pse kanë plotësuar afatin për të marrë injeksionin e dytë. Shkak është bërë mungesa e dozave të coronavac ndërkohë që autoritetet zyrtarisht nuk japin asnjë informacion.
Qytetarët janë paraqitur në sheshin "Skënderbej" ende pa u hapur qendra e vaksinimit për të marrë dozën e dytë.
Pas krijimit të radhëve një pjesë e tyre u lejuan të futen nën çadra, ndërsa të tjerë qëndruan në diell.
Të martën kishin shpresën se do e kryenin vaksinën, pavarësisht se i njoftuan se procesi do të mbyllej në mesditë.
"Nuk ka rregull fare, pse duhet të fillojë në orën 9. Të na thonë ta dimë, që në 9 ka efekt vaksina. Kam tre orë që pres këtu për dozën e dytë, sot kam datën."
"Më ka kaluar data. Erdhëm një ditë dhe nuk zumë dot radhën dhe ikëm. Sot kam një orë që pres."
"Dy orë që pres."
"Solla gruan për dozën e dytë, erdhi dje dhe nuk e bëri se kishte mbaruar."
Disa qytetarë nuk u vaksinuan.

"E bëra vaksinën në kokë. Kam tre orë që pres. Pas tre orësh tha nuk ka vaksina".
"Erdha dhe dje dhe prita dy orë, nuk ka vaksina thanë. Edhe sot..."
"Kemi tre ditë, nesër do vimë prapë, kjo punë."
"Nuk ka vaksina. Kemi dy ditë që vijmë, dje dhe sot dhe na kanë thënë të njëjtën gjë."
"Është e treta ditë që vijmë këtu, po rrijmë 4-5 orë. E ka fajin qeveria e atij mutit."

Të revoltuar i bënë thirrje Ministres së Shëndetësisë të zgjidhë sa më parë situatën.

"Na përzunë. Ikni se deri në 12 shërbejmë. Ministrja e Shëndetësiëë të vërë dorë. Lamë punën derti tani dhe ikni në shtëpi thonë.Kam vaksinën e dytë dhe na përzunë në shtëpi.Njerëzit janë të revoltuar. Kam dy ditë që vi."
Kjo nuk është hera e parë që kthehen në shtëpi pa marrë dozën e dytë, edhe më parë kanë pasur këtë fat.
Disa qytetarë nuk hezitojnë ta lidhin këtë situatë edhe me zgjedhjet e 25 prillit.
Pasi qendra u mbyll për dozën e dytë, mes efektivëve të policisë dhe qytetarëve pati tensione.
Megjithëse Ora News i kërkoi njësisë vendore të shërbimit shëndetësor informacion për situatën, kjo e fundit zyrtarisht nuk dha asnjë koment, ndërsa jashtë kamerave përgënjeshtroi zërin e qytetarëve duke thënë se procesi po vijon normalisht.
Ndryshe nga ditët e para të fushatës së vaksinimit kur puna mbyllej në orën 18:00, të martën pas 12 injektimi vazhdoi vetëm me dozën e parë me AstraZeneca.
