Vajzat shqiptare po braktisin shkollën, sociologia Simo: Shifrat dhe situata sa vjen e bëhet më alarmante

Braktisja e arsimit pas pandemisë është përkeqësuar ndjeshëm në vendin tonë, por ky fenomen po bëhet shqetësues te femrat.

INSTAT raportoi se gjatë vitit 2022, rreth 10% e vajzave në moshë shkollore nuk e ndjekin arsimin e detyrueshëm 9-vjeçar.

Lidhur me këtë çështje, sociologia Marsi Simo, në një intervistë në studion e lajmeve në “Ora News” u shpreh se shifrat janë në rritje nga viti në viti.

“Nga viti 2010 e deri më sot shifrat e braktisjes së shkollave sa vijnë e bëhen më alarmante. Ka shumë komunitete dhe dshumë fëmijë që janë lënë pa u trajtuar nga ligji për arsimin.

Po ashtu edhe tregu i punës ka ndryshuar dhe vetë struktura e familjes ka ndryshuar: që do të thotë më familje me më pak fëmijë, dhe fëmijë që shikohen nga prindërit si kontributorë ekonomikë në të ardhmen, dhe pritet që të shkojnë deri në 16 vjeç, të shkojnë jashtë vendit dhe të sjellin të ardhura.

Kjo në rastin e djemve, ndërsa për vajzat pritet një farë moshe që ato të martohen, p[asi tregu i punës nuk i ofron shumë të ardhura. Dhe të jesh nënë, sipas mentalitetit tonë ende të vjetruar mjafton që të funksionojë instikti dhe je nënë. Pra, gjithçka lidhet me mungesën e arsimimit”, u shpreh sociologia Marsi Simo.  

Të dhënat e raportit

INSTAT raportoi se, niveli i pjesëmarrjes bruto në arsimin e detyrueshëm është 96,9% për djemtë dhe 90,4% për vajzat.

Edhe pjesëmarrja në nivelin e mesëm të studimeve është më e lartë për djemtë se për vajzat, përkatësisht 95,7% dhe 90,2%, ndërsa në nivelin universitar, raporti përmbyset, ku pjesëmarrja është më e lartë për vajzat, me 74,7% krahasimisht me djemtë me 51,5%.

Pjesëmarrja sipas gjinisë në ciklet arsimore tregon për ekzistencën e diferencave gjinore në nivelet e ndryshme të arsimit.

Ka një raport më të lartë të djemve krahasuar me vajzat në arsimin parauniversitar, ndërkohë që në arsimin e lartë 58,7 % e studentëve të këtij cikli janë vajza.

Kjo statistikë tregon se në vitin 2022 nga 100 vajza kanë moshën dhe detyrimin për të ndjekur arsimin 9-vjeçar, shkojnë në shkollë vetëm 90 nga më shumë se 98 që ishte pjesëmarrja në vitin 2014.

lili saraçi marsi simo

EMISIONET