Ullinjtë plot, por nuk ka treg shitjeje, qeveria fajëson ata që kanë mbjellë tepër
Ullinjtë ishin plot këtë vit. Por prodhimi i mbarë nuk i gëzoi fermerët.
Pjesa më e madhe e tyre nuk kanë gjetur ende treg për shitjen e vajit.
Sherbeti nga Peqini, që ka kultivuar ndër vite mbi 500 rrënjë ulliri, ka ende në shtëpi mbi një kuintal vaj nga viti i shkuar.
Në treg çmimi është ulur shumë, deri në 400 apo 500 lekë për litër thuajse sa vaji i lulediellit. Ai nuk pranon ta shesë me këtë çmim pasi nuk mbulon dot shpenzimet.
Këtë vit bujqit i kishin më të larta kostot. Plehrat kimikë e karburanti arritën çmime gati të papërballueshme.
Qemal Shima një tjetër bujk, thotë se nga shteti nuk ka pasur ndihmë. Kërkon vetëm rrugë e treg.
Edhe për fabrikat e përpunimit të ullirit viti ka qenë i mbarë.
Në fabrikën “Tre miqtë” në Ndroq që drejtohet nga dy të rinj, Bani dhe Albi puna nuk ka ndalur që prej tetorit.
Pavarësisht kostove që i kanë më të larta, çmimet për bujqit nuk i kanë rritur.
Po përpiqen të eksportojnë vaj edhe jashtë vendit, por thonë se tregjet e huaja kërkojnë cilësi të lartë që jo gjithmonë sigurohet nga bujqit shqiptarë.
Por teksa fermerët hasin vështirësi të shumta e nuk ja dalin dot qeveria nuk ofron zgjidhje por fajëson ata që kanë mbjellë tepër.


