Ulja e lindshmërisë dhe depresioni pas lindjes, gjinekologia Xheni Omeri jep shkaqet: Dy javët e para pas lindjes me shumë rëndësi
Zhvillimet në popullsinë e Shqipërisë janë më të rënda se skenarët me pesimistë të INSTAT dhe Kombeve të Bashkuara.
Vitin e kaluar zyrtarisht lindën 22,210 foshnja, teksa skenari pesimist për ecurinë e popullsisë deri në vitin 2060 i zhvilluar nga INSTAT parashikonte që në të njëjtin vit të lindnin 27,281 foshnja.
Krahasimi i të dhënave tregon se në realitet kanë lindur 5070 bebe ose 18.5% më pak se skenari më pesimist me 2023.
Për të kuptuar më shumë se kush janë shkaqet e kësaj rënieje të lindshmërisë në këto nivele e ftuar në studion e lajmeve ishte gjinekologia Xheni Omeri.
“Periudha pas lindjes është ajo koha që trupi i gruas të kthehet në gjendjen e para lindjes. Është një periudhë e vrullshme hormonale dhe është ajo periudha që i duhet të marrë veten.
Është një periudhë ku bie në sy edhe probleme të shëndetit mendor dhe kërkon atë kujdesin e duhur, sidomos ato dy javët e para. Dhe kjo ëhstë një periudhë shumë sfiduese për gratë, sidomos ato që e kanë shtatëzaninë e parë përballen me luhatje të humorit.
15 deri në 20 për qind e grave kalojnë në depresion pas lindjes. Dhe janë kryesisht ato gra që nuk kanë mbështetjen familjare, apo të partnerit të tyre”, u shpreh ndër të tjera gjinekologia Xheni Omeri.
Projeksionet e Kombeve të Bashkuara për lindshmërinë
Në projeksionet e Kombeve të Bashkuara për ecurinë e popullsisë së Shqipërisë deri në vitin 2100 pritej që lindjet me 2023 të ishin mbi 28 mijë, por në realitet ato ishin 22 për qind më të ulëta.
Sipas OKB-së popullsia e Shqipërisë do të jetë rreth 1,1 milionë banorë deri në vitin 2100, por duke qenë se ecuria e lindjeve ka vijuar të ketë më keq se projeksionet ka të ngjarë që popullsia e përgjithshme e vendit të jetë më e ulët se çdo parashikim i bërë deri më tani.