UKT bllokon pusetat, plasin ujërat e zeza/ Banorët në Farkë: Fekalet janë bashkuar me ujin e pijshëm, po sëmuremi
Rreth 300 familje në zonën e Farkës duhet të përballen çdo ditë me papërgjegjshmërinë e punonjësve të UKT, pasi ata hodhën zhavorrin e punimeve në puseta e tashmë ujërat e zeza derdhen lumë. Ato bashkohen me ujin e pijshëm e sipas banorëve janë burim infeksionesh. Edhe pse mungesa e koshave e ka kthyer këtë zonë në një depozite mbeturinash askush nuk ka marrë masa. Thirrjet e përhershme të banorëve nuk janë dëgjuar prandaj paralajmërojnë protesta përballë UKT.
Ndodhemi në rrugën Neço Muka, e cila në fakt lidh liqenin e Farkës me lagjen Ali Demi. Por pavarësisht se është një rrugë e rëndësishme ku kalojnë në mënyrë të vazhdueshme qytetarët dhe makinat, problemet e saj janë të shumta dhe evidente.
Rruga e prishur, nga e cila sipas banorëve preken 300 familje nuk është prekur me dorë edhe pse që pas viteve 90 në mënyrë të vazhdueshme ata kanë ngritur shqetësimin.
“Kjo rruga këtu është shumë shqetësuese për ne të gjithë këtu. Kemi hedh lekët, djersët tona për rrugën. Ketu nuk futet makina, vetëm traktori me zinxhiri.”
“Nuk kemi reshtur së kërkuari, do ta bëjmë."
Bëjnë përgjegjëse ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimit te Tiranes
“Punëtorët janë të UKT-së, kanë hedhur zhavorin sipër pusetës. Tani ra shi e u bllokua puseta.”
Që në fillim të kësaj rruge ujërat e zeza bashkohen me tubacionin e ujit të pijshëm.
“Ja çfarë kanë bërë, shiheni vet gjendjen, ujërat e zeza janë të gjithë në rrugë."
Tani duhet të vini maska ju kur qe virusi.
Të shqetësuar ata thonë se janë të rrezikuar ndaj infeksioneve.
“Temperaturat 40, çfarë do presim vetëm sëmundje. Mizat po na mysin. Fëmija a do dalë në rrugë, do marrë një gur, do fus duart në gojë, e ja ku e mori infeksionin.”
Por shqetësimet nuk mbarojnë këtu.
“Nuk di të them me saktësi se prej sa kohësh ky bidon është hedhur këtu, por me siguri mund të them se mungesa e koshave të mbeturinave ka shkaktuar këtë masivitet ndotjeje.”
“Jemi 300-350 familje nuk kemi 1 kosh plehrash”
Premtimet kanë qenë shumë të thjeshta për tua dhënë banorëve, por nuk janë mbajtur asnjëherë.
“Vijnë për fushata, por s’janë mbajtur asnjëherë. Kanë premtuar disa herë por mbarojnë punët e veta ikin. A banojnë rob a kafshë, nuk do të di njeri fare.”
“Votat I kemi dhënë sa herë që kanë dashur, ne u gënjenim dhe përplasnim duar për to dhe rroftë partia.”
Banorët janë në pritje që instancat përkatëse të reagojnë në të kundërt paralajmërojnë se do të mblidhen të gjithë së bashku në protestë përballë UKT.
“Nuk duam me i pa më me sy, nuk ka më u ngopëm me mashtrime.”

