U mbylli derën me shul aktorëve/ Margariti: Erdhën pa trokitur, keqardhje për gjuhën e përdorur, vendimi për TK të zbatohet

Ministrja e Kulturës Elva Margariti, ka reaguar në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e sotme, ku një grup i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, u paraqit para Ministrisë për të dorëzuar një kërkesë për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Teatrin Kombëtar.
Në momentin kur Aleanca shkoi pranë godinës së ministrisë rojet mbyllën me shul kangjellat e oborrit të ministrisë së Kulturës.
Një veprim i tillë ngjalli indinjatë dhe revoltim tek përfaqësuesit e kësaj aleance por dhe aktorët të cilët sot ishin nisur drejt ministrisë.
Sakaq Margariti në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, thotë se shpreh keqardhje për gjuhën që përdorën përfaqësuesit e aleancës, ndërkohë shton se në Ministrinë e Kulturës priten e përcillen me respekt të gjithë ata që dinë të trokasin duke respektuar institucionin.
Ajo ka dhënë edhe një përgjigje për Teatrin Kombëtar, ku thotë se vendimi që është marrë duhet të zbatohet.
Reagimi i plotë:
Keqardhje për gjuhën dhe sjelljen e përfaqësuesve të një grupi, që u paraqit sot te dera e Ministrisë pa asnjë kërkesë për takim.
????Në Ministrinë e Kulturës priten e përcillen me respekt të gjithë ata që dinë të trokasin, duke respektuar institucionin, qoftë kur kanë ide e projekte për të diskutuar, qoftë kur kanë ankesa apo kritika për të adresuar.
Nuk ndodh që t'i mbyllet dera askujt, sepse respekti i ndërsjellë është zanafilla e detyrës institucionale dhe qytetare.
????Sa për Teatrin Kombëtar, tanimë ka një vendim shumë të qartë të Gjykatës Kushtetuese, dhe ai vendim është vetëm për t'u zbatuar nga institucionet dhe për t'u respektuar nga të gjithë.
Pa përjashtim!


