U hoqën nga kontejneri 49 arka, asnjë hetim nga prokuroria për trafik droge e kontroll në magazinë
Teksa janë mbushur 48 orë nga bllokimi, në portin e Durrësit të një kontejneri me banane, ku mungonin plot 49 arka, prokuroria e këtij qyteti, ende nuk ka rregjistruar një çështje penale për “Trafikim të Narkotikëve”, ndaj personave të dyshuar si të implikuar në këtë ngjarje.
Hetimet kanë nisur për tre akuza siç është “Shpërdorimi i detyrës”, “Kontrabandimi i Mallrave” dhe “Prishja e vulave të sigurisë”. “Ora News” mëson deri në këto momente, nuk ka asnjë hetim për trafik droge, për shkak se gjatë kontrollit të kontejnerit, nuk është gjendur asnjë kg kokainë.
Hetimet për këtë rast, ku dyshohet se është implikuar kompania “Zico” dhe drejtuesit e saj, janë në vend numëro, ndërsa policia është mjaftuar vetëm me kryerjen e veprimeve hetimore në portin e Durrësit dhe asgjë më tej.
Burime pranë policisë, thanë se pas konstatimit të kontejnerit me plumbçe të hequra dhe mungesës së 49 arkave, nuk është ushtruar asnjë kontroll në ambientet e kompanisë “Zico” në Vaqar të Tiranës, biznes ky që drejtohet nga Trifon Murataj. Kontejneri, i përket pikërisht kompanisë “Zico”, dhe ka mbërritur në portin e Durrësit, në datën 8 Korrik 2022.
Por pas dyshimeve se në arkat e munguara ndodhej drogë, policia ka kontrolluar të gjithë kontejnerin dhe nuk ka mundur të gjejë asnjë kilogram drogë. Të gjitha arkat me banane ku ndodhej kokaina, janë hequr dhe policia nuk ka mundur të gjejë asnjë pako.
Por ky kontroll, nuk është shtrirë në magazinat e kompanisë “Zico” në Vaqar, siç ka ndodhur herën e parë në dhjetor 2021, ku kësaj kompanie, ju kap 119 kg kokainë. Policia dhe prokuroria janë mjaftuar vetëm me disa veprime hetimore në kontejnerin që ndodhej në portin e Durrësit, duke mos shtrirë asnjë veprim të mëtejshëm, jashtë këtij porti. Lidhur me këtë rast të mundshëm të trafikimit të kokainës, policia e Durrësit, ka arrestuar një shofer të kompanisë “Zico”, shtetasin Nazmi Algjata dhe agjentin e shitjeve të kësaj kompanie, shtetasin Altin Muhametaj, të cilët akuzohen për “Prishjen e Vulave të Sigurisë” dhe “Kontrabandim të mallrave”.
Ky është rasti i dytë që kontejnerët e kompanisë “Zico” dalin të infektuar dhe gjendet të hapur, ndërsa një numër arkash me banana mungojnë. “Ora News” mëson se tashmë çështja e parë e kapjes së 119 kg kokainë i ka kaluar për hetime të mëtejshme, prokurorisë së posaçme SPAK.
Prokurori i Tiranës, Arjan Përmeti, mësohet se prej datës 18 Maj, ka marrë vendimin për shpalljen e moskompetencës dhe kalimin për hetim të mëtejshëm të kësaj dosje nga SPAK. Për rastin e parë prokuroria e Tiranës, arrestoi dy shoferët e “Zico”, Gëzim Kalaja dhe Hasan Salihu.
Njëherësh policia arrestoi dhe administratorin e kompanisë “Zico”, Marson Murataj, i cili fillimisht u arrestua dhe më pas u la në arrest në burg. Masa e sigurisë ndaj tij u zëvendësua në “Arrest shtëpie”, por pas Apelimit nga prokuroria gjyqtarja e Apelit Elbana Lluri, vendosi të kthejë në burg Marson Murataj, i cili rezulton të jetë dhe njeri i afërt i biznesmenit Trifon Murataj.

