Tubi që furnizon me ujë të pijshëm banorët e Lazaritit i dëmtuar: Alarmante, do përsëritet 1 katastrofë

Prej tre muajsh ky tub i stacionit të pompimit që furnizon banorët e fshatit Lazarat me ujë është dëmtuar nga firma e cila po punon për ndërtimin e linjës së re.

Megjithatë, ende nuk është marrë mundimi për t’u rregulluar dëmi, i cili mund të jetë fatal për banorët e fshatit të Lazaratit.

Alarmi është ngritur nga vetë banorët të cilët thonë se ndihen të rrezikuar nga situata.

"Është shkarkimi i tubit kryesor që merr ujin nga depozita, nga pusi deri lart në fshat. Të gjitha mbeturinat që dalin, uji i merr përsëri brenda."

Për shkak të frikës thonë se ata nuk e konsumojnë ujin që u shkon në shtëpitë e tyre, por zgjedhin të mbushin ujë në çezmën e fshatit.

"Kemi frikë shumë se do përsëritet një katastrofë. Këtu ka njerëz, ky ujë nuk përdoret vetëm për vaditje, por është për të pirë, se ne nuk kemi ujë. Kjo është një gjë alarmante, duhet të merren masa urgjentisht."

Tubi që furnizon me ujë të pijshëm banorët e Lazaritit

Dëmtimi i tubit përcjellës pranohet edhe nga inxhinieri i Ujësjellës Kanalizimeve Gjirokastër, Bashkim Tola, i cili fajin e përcjell tek firma ndërtuese.

"Tubi është i hapur për shkak se firma zbatuese e projektit për ujësjellësin e Lazaratit nuk ka përfunduar punimet për shkarkuesin i cili duhet të shkojë deri në lumë."

Kujtojmë që për shkak të ndotjes së ujit të pijshëm në Krujë u helmuan mbi 500 persona.

EMISIONET