"Tropoja ka marrë fund", zhvendoset zyra Kadastrale nga Bajram Curri në Kukës
Në një kamion të madh që shkoi në Bajram Curr paraditen e të martës, 30 gusht, u ngarkuan qindra dosje me të dhënat e Hipotekës së Tropojës.
Tanimë Zyra Kadastrale që deri sot ka funksionuar atje nuk do të jetë më pasi është vendosur transferimi në Kukës.
Më shumë se 100 km rrugë dhe kalimin nga dy dogana përmes Kosovës duhet të bëjë tanimë një qytetar nga Tropoja për të marrë shërbimin në Kadastër.
"Tani e tutje shërbimi është "Zoti na ruajt!" Ku ti marr lekët me një pension 80 mijë lekë që e kam unë, ku shkoj në Kukës unë me marr një letër hipoteke? Më mirë të groposur. Medet për ne që jemi gjallë!"
Topografi, Halil Demiri, shprehet i revoltuar për largimin e të gjitha shërbimeve ndërsa thotë se shërbimet online nuk mund të kryejnë punë atje pasi shumica e tokës në Tropojë nuk është në harta kadastrale.
"Qytetari me kalu dy dogana për një saktësim, për një verifikim, për një korrigjim pasurie."
Edhe inxhinieri i urbanistikës, Hazir Isufi, thotë se largimi i Hipotekës do të sjellë pasoja të mëdha për Tropojën.
"30% nuk janë të regjistruara, nuk janë të dixhitalizuara. Këtu ka mospërputhje të realitetit me hartën."
Rrethi Tropojës ka rreth 104500 hektarë tokë, nga këto 7400 ha tokë bujqësore ndërsa shumnica e tokës atje nuk është e dixhitalizuar pasi procesi i regjistrimit u ndërpre në vitin 2002.


