Tronditet Shkodra/ Xhaferi: Dh*na ndaj grave nuk nis me gru*htin, por me...
Ngjarja tragjike që tronditi Shkodrën ka rikthyer në qendër të vëmendjes fenomenin e dhunës ndaj grave dhe nevojën për ndërhyrje të hershme. E ftuar në “Ora News”, psikologia Almeida Xhaferi theksoi se vrasjet në familje nuk janë akte që ndodhin papritur, por janë fundi i një cikli të gjatë dhune psikologjike, kontrolli dhe izolimi.
Psikologia Almeida Xhaferi shprehu fillimisht ngushëllimet për familjen e viktimës, duke e cilësuar ngjarjen një tragjedi që prek mbarë shoqërinë.
Sipas saj, raste të tilla shkaktojnë reagim të fortë publik, por shpesh mungon puna konkrete për t’i parandaluar. Ajo nënvizoi se dhuna nuk shpërthen papritur për motive të parëndësishme, siç paraqitet shpesh në kronikat e lajmeve, por është rezultat i një procesi të gjatë që nis me dhunën psikologjike.
Xhaferi shpjegoi se shenjat e para shfaqen kur gruaja zhvlerësohet, poshtërohet dhe izolohet gradualisht nga familja, miqtë dhe jeta sociale. Sipas saj, kontrolli mbi lëvizjet, ndalimi për të punuar apo për të takuar familjarët janë forma të hershme të abuzimit, të cilat më pas mund të përshkallëzohen në dhunë fizike.
Psikologia theksoi se shumë gra jetojnë për vite të tëra në marrëdhënie të dhunshme, duke shpresuar se episodi nuk do të përsëritet ose duke menduar se nuk kanë mbështetje për të nisur një jetë të re. Në shumë raste, ato zgjedhin divorcin pa e denoncuar dhunën, ndërsa në rastet më të rënda, përballen me pasoja fatale.
Xhaferi shtoi se dhunuesi e rrit gradualisht intensitetin e sjelljes së tij, ndërsa viktima bëhet gjithnjë e më e izoluar dhe e varur emocionalisht, çka e bën edhe më të vështirë largimin nga marrëdhënia abuzive.
Duke analizuar faktorët që ndikojnë në këtë fenomen, psikologia u shpreh se shumë gra që mbeten në marrëdhënie të dhunshme janë rritur në familje ku dhuna është normalizuar si mënyrë për zgjidhjen e konflikteve.
Sipas saj, edukimi me bindjen se divorci është turp për familjen ose se gruaja duhet të durojë çdo situatë krijon barriera të forta që i pengojnë viktimat të kërkojnë ndihmë.
Në përfundim, Xhaferi apeloi për më shumë ndërgjegjësim dhe ndërhyrje të hershme, duke theksuar se njohja e shenjave të para të dhunës është vendimtare për të parandaluar tragjedi të tjera. Sipas saj, kontrolli, izolimi dhe poshtërimi nuk duhet të konsiderohen sjellje normale në një marrëdhënie, por sinjale alarmi që kërkojnë reagim të menjëhershëm.
Almeida Xhaferi: Ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes që sot ka humbur vajzën, dhe të gjithë atyre personave që e kanë njohur nga afër edhe janë prekur nga kjo ngjarje tragjike, ashtu sikurse jemi prekur ne thellësisht, si qytetarë dhe si njerëz të një shoqërie që me sa duket bëhet gjithmonë edhe më e dhunshme. Raste të tilla ndodhin herë pas here, ne kemi një lloj reagimi aktiv në momentin që shokohemi nga këto ngjarje, por me sa duket nuk bëjmë mjaftueshëm për t'i parandaluar. Kthehem tani tek pyetja jote.
A ka dhuna shenja që i paraprijnë asaj? Është një pyetje shumë e vend edhe me rëndësi për t'u cekur, sepse duhet të kemi parasysh që akte kaq të forta dhune që i marrin jetën një gruaje, nuk fillojnë papritur dhe nuk shpërthejnë në mënyrë të menjëhershme për arsye banale sikurse citohet shpeshherë nëpër lajme apo nëpër rubrika që informohet opinioni publik për krimin. Ky është një moment që dhuna përshkallëzon në një fazë përfundimtare të saj, po ju siguroj një gjë, që dhuna në të gjitha rastet, përpara se të ketë një konfrontim fizik, fillon fillimisht me dhunën psikologjike ku gruaja zhvlerësohet, poshtërohet, nëpërkëmbet në familje, trajtohet si një njeri që nuk ka vlera, që askush nuk e vlerëson mendimin e saj, privohet nga liritë edhe të drejtat.
Nuk i lejohet shpeshherë të shkojë në punë, nuk i lejohet të ketë një rreth të vetin shoqëror, nuk i lejohet të shkojë madje as tek familjarët e saj pa lejen e burrit. Këto janë hapat fillestare, hapat e dhunës psikologjike, që mbasi gruaja është izoluar dhe është bindur që është krejtësisht e vetme dhe nën pushtetin e burrit, fillon pastaj shtohet edhe përshkallëzohet në dhunë fizike.
Siç ju flas me siguri nga eksperienca dhe nga kontakti që kam jo vetëm me persona që dhunojnë gratë, po edhe me gra që për fat të keq janë viktima të dhunës në familje, shpeshherë dhuna në familje fle aty për vite me radhë. Vetëm mbas një kohe shumë të gjatë një grua guxon të marrë një hap vendimtar të rëndësishëm, që mund të jetë ta denoncojë dhunën, po ka dhe shumë raste të tjera ku gruaja thjesht preferon të divorcohet pa e denoncuar aktin e dhunës në vetvete.
Ashtu sikurse ka edhe raste me fatalitete të tilla, ku për fat të keq një grua e dhunuar humbet edhe jetën nën shpresën që për vite me radhë mund të besojë apo mund të ngushëllojë veten duke i thënë që "kaloi ky episod, nuk do përsëritet më", apo "ku do shkoj unë e vetme, kush do më përkrahi mua në këtë situatë". Të gjitha këto mendime e bëjnë viktimën e dhunës në familje që ta ketë të vështirë ta adresojë, derisa dhunuesi e rrit intensitetin e dhunës duke eskaluar apo duke përshkallëzuar edhe në marrjen e jetës. Kështu që po, dhuna ka disa sinjale. Ajo fillon me dhunën psikologjike, fillon me izolimin e gruas dhe privimin nga shumë të drejta të saj, fillon me trajtimin e saj si një posedim dhe eskalon pastaj dhuna fizike.
Janë të gjitha nga pak, është një konglomerat faktorësh, por dua t'ju them me siguri që gratë që dhunohen dhe qëndrojnë për vite të tëra në një marrëdhënie abuzive, që përfshin dhunën fizike dhe psikologjike, për fat të keq nuk e ndeshin këtë fenomen për herë të parë në raportin e tyre në çift.
Me shumë gjasa vijnë nga një background familiar i familjes së tyre të origjinës, ku dhuna ka qenë përgjigja për të zgjidhur shumë situata në jetë. Ato janë privuar nga disa të drejta dhe liri që kur kanë qenë vajza të pamartuara nga familjarët e tyre, ju është bërë e qartë që një divorc shpesh herë është i papranueshëm sepse mund të njollosë edhe reputacionin e familjes, pra kjo është barriera e dytë. Dhe një grua e rritur në këto kushte, që bie në kontakt me një dhunues dhe për fat të keq, dhunuesi qëllon që të jetë apo personifikon për gruan që bie në kontakt.

