Treg me taksa por në rrugë, në Mifol të Vlorës asnjë kusht për të shitur prodhimet
Ky është tregu i vendosur poshtë Urës së Mifolit, në Vlorë.
Çdo të enjte, tregtarë nga Vlora, Fieri dhe qytetet e tjera përreth, mblidhen aty për të shitur prodhimet e tyre.
Por, situata është e mjerueshme.
Edhe produktet ushqimore vendosen në tokë, në mungesë të një tregu të mirfilltë.
Shitësit shprehen të shqetësuar, për mungesën e një tregu
“Kam 30 vjet që vete nëpër pazare, është pazari më i keq në Republikën e Shqipërisë,” tha një prej tyre.
Taksat deklarojnë se i paguajnë, por asnjë investim serioz nuk është bërë.
“Sa erdha e pagova 200 lekëshin edhe pse është baltë. 200 lekë vendi, shi, borë. Këtu e ka fajin vetëm Bashkia, sepse ne jemi shitës ambulantë, shkojmë në çdo pazar,“ thanë ata.
Edhe blerësit thonë se situata është alarmante, për shkak të kushteve.
“Për ne është shumë keq. Unë do marr sepse më duhet, patatja. I shesin sa ju do qejfi se nuk ka kontrolle. I vetmi vend që nuk pastrohet asgjë,” thanë ata.
Tregu i Mifolit administrohet nga Njësia Administrative Novoselë, e cila sipas tregtarëve me taksat e mbledhura nga ta, nuk ka investuar në përmirësimin e kushteve.

