Transporti urban/ Qeveria premtoi 500 milionë lekë kompensim, kaluan 3 javë asnjë fond

“Për ne rritja e çmimit të biletës nuk është e pranueshme. Do të kompensojmë me 100 lekë çdo litër naftë qe ju përdorni për transportin tuaj. Kemi nxjerrë një formulë për të cilën do informoheni. Do bëjmë kompensimin real të naftës bazuar në shifrat që keni përdorur në vit më parë” deklaroi ministrja e Transportit Belinda Balluku më 20 mars 2022

Por edhe pse kaluan 3 javë nga prezantimi i paketës së rezistencës, ku qeveria njoftoi se ka akorduar shumën prej 500 milionë lekësh për transportin publik, Këshilli i Ministrave nuk ka miratuar ende aktin normativ që i hap rrugë kompensimit me 100 lekë për litër të gjithë operatorëve që ofrojnë këtë shërbim.

Më 12 mars qeveria njoftoi se kjo ndihmë do të jepet për të mos rritur çmimin e biletës për shkak të shtrenjtimit të karburantit. Por ndërkohë që ka hyrë në fuqi akti normativ për indeksimin e pensioneve, rritjen e pagës minimale dhe ndryshimin e taksimit mbi pagat, paketa për transportin publik nuk duket gjëkundi.

Sipas ekzekutivit, rimbursimi i naftës do të jepet për 3 muaj dhe bazohet të konsumi i deklaruar nga vetë operatorët e transportit në periudhën prill – qershor të vitit të kaluar.

Transporti urban/ Qeveria premtoi 500 milionë lekë kompensim, kaluan 3

Më herët, përfaqësues të qeverisë kanë bërë me dije se është nxjerrë formula që do aplikohet për kompensimin e transportit publik, por ndërkohë operatorët vijojnë të përballen me çmimet të larta të karburantit pa marrë asnjë mbështetje nga qeveria.

Rritja e çmimit të karburanteve si pasojë e luftës në Ukrainë është reflektuar edhe në tregun shqiptar, ku në mars 1 litër naftë tregtohej kundrejt 270 lekësh. Në atë kohë Shoqata e Transportit paralajmëroi shtrenjtim të biletës, por u tërhoq pasi qeveria njoftoi se do të jetë ajo që do të kompensojë rritjen e çmimit të naftës.

EMISIONET