“Tourism Events of Albania”, Rama: Mundësi për këdo të informohet
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar të premten kalendarin Kombëtar Turistik, i cili do të mundësihet online përmes aplikacionit TEA. Sipas Ramës ky aplikacion do të shërbejë për të informuar për mundësitë turistike që ofron Shqipëria.
Shqipëria për herë të parë ka një kalendar Kombëtar Turistik të ngjarjeve kulturore, sportive dhe të traditës , që çdokush mund ta aksesojë online, përmes aplikacionit TEA
Gjatë prezantimit, mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama i cili tha se një aplikacion i tillë do të shërbejë për të informuar gjithmonë e më shumë persona mbi mundësitë turistike që ofron Shqipëria.
“Është një punë e filluar prej vitesh, sot është në një fazë të re por në zhvillim të vazhdueshëm sepse ne besojmë shumë që Shqipëria turistike është përtej ujërave të mrekullueshëm të detit, përtej majave magjike të maleve, përtej luginave dhe bukurive natyrore në tërësi. Arsyet për ta vizituar Shqipërinë turistike janë shumë më tepër sesa kaq,” tha ai.
Duke u ndalur te turizmi, kryeministri Rama theksoi se problemi më i madh me të cilin po përballet kjo industri është mungesa e punëtorëve, e shumë biznese po hedhin sytë përtej kufirit.
"Ka shumë kërkesë nga industria për punonjës nga ata më të pakualifikuarit tek ata më të kualifikuarit. Ka gjithmonë e më shumë për të zgjeruar hapësirën e kërkesës përtej kufijve të Shqipërisë sepse ky është gjithmonë e më shumë problem serioz," tha ai.
Tourism Events of Albania, vjen si surprizë për këtë sezon veror në celularin e gjithësecilit, me plot oferta eventesh në Shqipërinë turistike.

