Topi: Basha ka qenë manekin i Berishës, nuk e besoj Foltoren, me të dy Rama fiton gjithmonë

Në një intervistë për RTV Ora, ish-presidenti Bamir Topi u shpreh se beteja në PD është një luftë mes dy individë, që janë Basha dhe Berisha.

Për Topin, Basha është parë nga të gjithë si një kukull e Berishës, ndërsa ky i fundit nuk e ka pritur një sulm të tillë nga Basha.

Topi: E gjithë beteja ka precipituar në luftë midis dy individëve. Këta dy persona nga viti 2005 kanë qenë bashkë. Duhej vetëm një hall i madh që Berisha të dilte në shesh. Kjo bashkëjetesë politike u prish kur njeriu që Berisha i dha gjithçka, i bëri atë që nuk ia kishte bërë askush. Ky është një raport psikologjik që vetëm që ata e dinë. Berisha është një lojtar me eksperiencë duke përcaktuar fatin e shumë të tjerëve në PD. Edhe kur Basha u zgjidh sërish Berisha qëndroi në qetësinë e tij. Berisha e ka mbështetur Bashën dhe deri në atë moment nuk ka ndjerë asnjëlloj rreziku të asaj natyre. Mendoj se do të jetë sërish deputet me Ramën.

Basha gjithmonë është parë nga të gjithë, edhe nga unë si një njeri që vendimmarrjen nuk e kishte të vetën. Ishte krijuar ideja që nuk kemi gabuar në fakt, se Basha ishte një manekin në duar e Berishës. Ai vetë ka pasur një betejë të brendshme psikologjike dhe ka gjetur rastin për të dalë nga kjo situatë. Kjo ka qenë në etapën dhe fazën finale të këtij vendimi. Nuk jam surprizuar nga kjo ngjarje. Basha nuk më ka bindur kurrë dhe kam thënë se nuk e dërgon në fitore PD-në. Kam thënë pas fitores së tij aspak të ndershme me Olldashin se e ardhmja e Bashës nuk do të ketë trofe.

Topi shtoi se Berisha akoma diskuton dhe sjell të përndjekurit politikë që janë një turp i kësaj partie me mënyrën se si është sjellë me ta.

Topi: Nuk shoh të ardhme! Të gjitha temat e së djathtës i kemi kapur. Sot pas 30 vitesh akoma flitet për të përndjekurit politikë që është një turp i PD-së. Këtu vazhdohet që  të glorifikohet sepse ata që e dëgjojnë aq horizont kanë. Nuk i besoj këto gjëra sepse unë nuk mund të quhem si një person me karrierë politike dhe njohje. A ka prodhuar foltorja? Sigurisht sepse ka militantë që jetën e tyre e kanë lidhur me Berishën. Foltorja ka prodhuar, po unë nuk e besoj. Faktori R, Rama është baraz me shumën e dy B-ve. Po si del faktor Rama ku dy B-të neutralizojnë njëra-tjetrën? Del gjithmonë fitues. Me këta nuk ka shpresë! Këta kanë përjashtuar elitën në PD.

EMISIONET