Abuzuan me tokat në Shëngjin/ Dënohet motra dhe vëllai i ish-deputeti socialist. U konfiskohen pasuritë

Gjykata e Posaçme e Apelit ka ndryshuar vendimin në ngarkim të 10 personave të afërm dhe me lidhje me ish-deputetin e Partisë Socialiste, Arben Ndoka. Bëhet fjalë për një fraksion të dosjes 339, lidhur me tjetërsimin e pronave në Lezhë në zonën e njohur si "Rana e Hedhun”, trupa dënoi me 10 vite burg nga gjashtë që ishte më parë vëllanë e Ndokës, Gjevi. Madje ai do të detyrohet të qëndrojë në një burg të sigurisë së lartë.

Gjithashtu për motrën e Ndokës, Mimoza Ndoka, dhe gjithë të akuzuarve të tjerë, janë dënuar me burg, ndërkohë që ishin lënë të lirë me shërbim prova nga shkalla e parë.

Motra e ish-deputetit u dënua për përfshirje në “grup të strukturuar kriminal”, për të cilin do të kalojë 5 vjet e 4 muaj në burg. Pothuajse të gjithë të akuzuarve u janë shtuar dënimet e dhëna nga shkalla e parë nga 30 vite që ishin në total duke shkuar në  48 gjithsej.

Çështja është hetuar nga prokurorët Vladimir Mara dhe Dritan Prenci, të cilët kërkuan në apel konfiskimin edhe  të pasurive. Hetimet nisën në 2017 kur një qytetar denoncoi se toka e tij rezultonte në Hipoteke në emër të disa familjeve të tjera.

Prokuroria zbuloi një sipërfaqe prej 234 mijë metrash katrorë tokë në zonën e “Ranës së Hedhun” që ishte përfituar përmes falsifikimit të dokumenteve. Bashkia Lezhë dhe Këshilli i Qarkut Lezhë “nëpërmjet shkresave përkatëse zyrtare, pavarësisht se në realitet (tokat) janë mal dhe ranishte i kanë konfirmuar si toka të kategorisë “Arë” dhe “Pemtore”.

Sipas vendimit për konfiskim parcelat ishin regjistruar në emër të personave që nuk kishin të drejtë të përfitonin tokë në atë zonë.

Dënimet e dhëna nga Apeli i Posaçëm

Gjevi Ndoka, dënohet me 10 vite burg, në Shkallën e Parë dënohet me 6 vite e 8 muaj

Mimoza Ndoka, dënohet me 5 vjet e 4 muaj burg, në Shkallën e Parë u la në shërbim prove

Emanuela Gjukra, dënohet me 6 vite burg, në Shkallën e Parë ishte dënuar me 4 vite e 8 muaj

Zef Lazri, dënohet me 4 vite e 8 muaj burg, në Shkallën e Parë ishte dënuar me 8 muaj

Blendi Ndoka, dënohet me 6 vite e 8 muaj burg, në Shkallën e Parë ishte dënuar me 3 vjet e 6 muaj

Luigj Paloka, dënohet me 5 vite burg, në Shkallën e Parë ishte dënuar me 4 vite e 8 muaj burg

Paulin Simoni, dënohet me 3 vite e 8 muaj burg, në Shkallën e Parë ishte dënuar me 3 vite e 4 muaj burg

Vlash Gaxulli, dënohet me 2 vite e 8 muaj burg, në Shkallën e Parë ishte dënuar me 4 vite shërbim prove

Genc Zeneli dënohet me 2 vite e 4 muaj burg, në Shkallën e Parë ishte dënuar me 4 vite shërbim prove

Kol Lleshi, dënohet me 2 vite e 4 muaj burg, Në Shkallën e Parë ishte dënuar me 4 vite shërbim prove

Marjeta Perskura, dënohet me 1 vit e 8 muaj burg, në Shkallën e Parë ishte dënuar me 1 vit e 4 muaj shërbim prove

EMISIONET