Tiranë/ Polici vret kolegun brenda në komisariat, e qëlloi me 5 plumba me armën e shërbimit
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme (23 Maj) në ambientet e Komisariatit Policisë Nr 3, në rrugën”Mine Peza” në Tiranë.
Burime për Ora News thanë se efektivi Çaush Saliasi ka humbur jetën në spital pasi u plagos rëndë me armë zjarri nga kolegu i tij Ludian Zaimi.
Ngjarja ka ndodhur në rrethana të paqarta, ku Saliasi i cili u mbeti i plagosur në ambientet e komisariatit, u dërgua menjëherë në spital por për fat të keq nuk u ka mbijetuar plagëve të marra.
Dyshohet se shkak për ngjarjen e rëndë ka qenë një konflikt banal, ku si pasojë Zaimi ka qëlluar 5 herë me armën e shërbimit drejt Saliasit.
Ky i fundit vdiq në sallën e operacionit.
"Mësohet se ai ka humbur jetën në sallën e operacionit.Më datë 23.05.2022, rreth orës 21:20, në rrugën "Mine Peza", në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në rrethana ende të paqarta, punonjësi i Policisë, shtetasi Ludian Zaimi., ka plagosur me armë zjarri shtetasin Ç.S., të dy me detyrë oficerë të Patrullës së Përgjithshme. Si pasojë e plagëve të marra, punonjësi i Policisë Çaush Saliasi. ka ndërruar jetë në spital."- njofton policia.
Sipas të dhënave autori ka një vit e gjysmëm në polici, ndërsa viktima kishte që 20 vjet në këtë detyrë.
Grupi hetimor nën drejtimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Prokurorisë së Tiranës, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Autori i dyshuar është ndaluar dhe po kryhen të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Në ambientet e Komisariatit nr. 3 kanë shkuar një grup i posaçëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, përfshirë ekspertë të Drejtorisë së Standardeve Profesionale dhe nga Departamenti i Rendit dhe Sigurisë Publike.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore do të ketë një njoftim më të plotë për media.


