Tirana pret verën/ Festë, aktivitete e shfaqje me dronë. Tradita ruhet ende

Kjo është e para pranverë për Aurën. E ndjen festën dhe hapat e vegjël i hedh e buzëqeshur krah gjysheve. Në Tiranë, ardhjes së stinës së re iu gëzuan më tepër fëmijët.

E pritën Ditën e Verës me këngë e lojëra argëtuese. I gjithë Bulevardi Dëshmorët e Kombi të martën ishte në dispozicion të atyre që dolën të shijonin festimet dhe diellin e ngrohtë.

Miranda kafen e parë të kësaj pranvere e piu ulur në lulishten e qendrës bashkë me mbesën.
Tregon se më parë kështu e festonin ditën e verës, në mes të natyrës.

"Mblidhnim lule dele, bënim kurora. Shtronim batanije," thotë ajo.

Të mëdhenjtë thonë se i kanë ruajnë traditat edhe pse kohërat kanë ndryshuar. Ballokumet, byrekun me lakra e verorët vijojnë t`i përgatisin në shtëpi.

"I kemi ruajtur të gjitha traditat që kanë qënë. Kopjojmë edhe nga zonat e tjera," tha një qytetar.
Shumë mbushën kryeqytetin për të festuar, të tjerë dolën për të fituar të ardhura.

Xhemilja ka mbi dy muaj që punon për këto verore.

"Këto nuk shiten të gjitha, do ti mbajmë edhe për vitin tjetër," tha ajo.

Del çdo ditë vere pasi ka nevojë për të ardhura.

"Duan fëmijët bukë, për një copë bukë," tha ajo.

Familja Xhepa për këtë ditë ka përgatitur afro 2 mijë copë ballokume.

Ëmbëlsira simbol e pranverës këtë vit kushtoi më shumë.

"Sot shitet 150 lekë, gjërat e freskëta e bëjnë të mirë. Vezët, gjalpi. Kjo është si traditë më së shumti por dhe nga nevoja," tha një qytetar.

Lindita po ashtu ka dalë të shesë qilimat që i end me shumë kujdes prej 40 vitesh në tezgjahun e saj.

"Kam që 14 vjeçe që e ushtroj si zanat dhe e bëj me qejf," tha ajo.

Janë punime unike por për to ka pak interes.

"Këto kushtojnë se janë punime me dorë, jo mall turku që është i lirë," tha ajo.

Festa, me gëzimet e hallet e shqiptarëve, zgjati përgjatë gjithë ditës por kulmoi me një koncert në qendër të Tiranës ku u bënë pjesë edhe këngëtarë të njohur ndërkombëtarisht.

EMISIONET