Tetori Rozë, policia i bashkohet mesazheve ndërgjegjësuese për kontrolle

Tetori Rozë, policia i bashkohet mesazheve ndërgjegjësuese

“Forca e vërtetë nuk qëndron vetëm në uniformë, por në dashurinë për jetën dhe kujdesin për njëri-tjetrin”.

Me këtë mesazh sensibilizues, Policia e Shtetit iu bashkua sot muajit tetor, i njohur si Tetor Rozë, muaj i ndërgjegjësimit për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.

Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, u bëri thirrje vajzave dhe grave të kryejnë kontrolle mjekësore të rregullta, si një mënyrë e thjeshtë, por jetike për të shpëtuar jetë.

“Një kontroll i vogël mund të shpëtojë një jetë. Unë e bëra kontrollin, bëje edhe ti”, ishte mesazhi i punonjëseve të Policisë drejtuar çdo nëne, motre e mikeje.

“Roza nuk është thjesht një ngjyrë, është guxim. Tetori është kujtesa se shëndeti vjen i pari. Mos e lër për nesër. Kujdesi ndaj vetes nuk është fushatë, është një mënyrë për të jetuar gjatë”, theksohet në mesazhet sensibilizuese të punonjësve të Policisë së Shtetit.

Tetori Rozë është një muaj ndërkombëtar i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, i kushtuar informimit mbi rëndësinë e zbulimit të hershëm, parandalimit dhe kujdesit ndaj shëndetit të grave. Qëllimi i tij është të rrisë vetëdijen për kontrollet mjekësore të rregullta, edukimin mbi shenjat paralajmëruese dhe mbështetjen e pacientëve që përballen me këtë sëmundje. Në këtë muaj, organizohen aktivitete sensibilizuese, fushata informuese dhe iniciativë për mbledhjen e fondeve për kërkimin dhe trajtimin e kancerit të gjirit. 

EMISIONET