KLSH dhe Meta kërkojnë Çakon, Emergjencat refuzojnë auditin e KLSH: Drejtori nuk është në punë

Teksa Shqipëria është përfshirë nga flakët, Auditi i Kontrollit të Lartë të Shtetit është refuzuar nga Emergjencat civile me argumentin se drejtori nuk është zyrë. Pas KLSH edhe Presidenti Meta i ka bërë thirrje drejtorit Haki Çako të rikthehet në punë në këto momente krize. Ndërkohë, kreu i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, ka deklaruar se aktualisht është në krye të detyrës.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, drejtuar nga Haki Çako, ka refuzuar auditin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke mos e lejuar këtë të fundit të ushtrojë kontroll mbi dokumentet e tenderave që lidhen me pajisjet e emergjencave.

Burimet bëjnë me dije se kontrolli është refuzuar pasi Drejtori i Përgjithshëm është me pushime edhe pse vendi po kalon një situatë tejet kritike sa i përket përhapjes së vatrave të zjarrit.

Më herët Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit i ka bërë thirrje Haki Çakos që të kthehet në krye të detyrës për të menaxhuar situatën delikate.

Thirrjes së tij mbrëmjen e të hënës iu bashkua edhe Presidenti Ilir Meta.

Përmes një statusi në facebook Meta apelon rikthimin urgjent në zyrë të Drejtorit të Përgjithshëm të Emergjencave Civile teksa ka dënuar sjelljen e tij që e cilëson në kufijtë e veprës penale dhe shpërdorimit të detyrës.

Po ashtu Meta theksoi nevojën e një koordinimi mes institucioneve dhe ndërhyrjes emergjente për të vënë nën kontroll flakët e zjarrit që kanë shkaktuar dëme të mëdha në pyje e kullota.

“Vlerësoj gjithashtu nevojën për t'ju drejtuar sa më parë për ndihmë Mekanizmit të Mbrojtjes Civile Evropiane, duke pasur parasysh se prioriteti absolut duhet të jetë mbrojtja e jetës dhe pasurive publike e private” - shkruan në reagimin e tij Presidenti Ilir Meta.

Ndërkohë, kreu i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, ka deklamuar se aktualisht ndodhet në krye të detyrës, dhe mungesa e tij lidhet me një event familjar.

EMISIONET