Termometri -16 Gradë Celsius, akull e ngrica në rrugë, malësitë e bllokuara e pa energji

Ditët e acarit të madh nisën. Në Dibër temperaturat gjatë natës zbritën deri në 15 Gradë nën zero dhe ngricat në rrugë që pasuan i shtuan vështirësitë.

Fshatrat e thella të Lurës, Selishtës, Kalasë së Dodës, Sllovës,  Zall-Reçit e Gollobordës janë të bllokuara prej 3 ditësh.

Një pjesë pa energji elektrike për shkak të dëmtimit të rrjetit të shpërndarjes.

Në Lurë trashësia e dëborës raportohet deri në 50 centimetra dhe rruga nga Rrësheni është i vetmi aks nga ku mund të lëvizet.

Aksi Peshkopi-Tiranë kalohet pa probleme por duhet të tregohet kujdes në by pass-in e Murrizit gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit.

Peshkopi- Kala e Dodës-Kukës kalohet me zinxhirë nga ura e Leshicës drejt Vasies.

Aksi Peshkopi-Draj Reç-Kukës kalohet pjesërisht me zinxhirë.

Deri në -12 Gradë Celcius zbritën temperaturat në juglindje. Në rrugët e Pogradecit, Korçës dhe bashkive të tjera mbizotëron akulli.

Akset Korçë-Ersekë-Leskovik, Korçë-Voskopojë, Korçë-Dardhë janë të kalueshme pa probleme, ndërsa drejt fshatrave të thella ku ka probleme dhe me energjinë elektrike, lëvizet vetëm me zinxhirë.

Si rrallë herë, dëbora zbriti mbrëmjen e të shtunës edhe në Fier e Vlorë por zgjati vetëm pak minuta.

Dëbora rezistoi në Llogara, pikë turistike e cila vizitohet pa problem dhe që u kthye në destinacion fundjave.

Reshjet e dëborës dhe temperaturat nën zero kanë përfshirë dhe qarkun e Elbasanit ku në zonat e thella ka vështirësi në lëvizje dhe probleme me energjinë.

Edhe zonat malore të qarkut Shkodër janë përfshirë nga reshjet e dëborës.

Në kontrast nga vitet e shkuara ky është dimri i parë që këto zona nuk janë të bllokuara.

Drejt Thethit, Razmës dhe Vermoshit mund të udhëtosh pa probleme, por këshillohet përdorimi gomave dimërore dhe zinxhirëve për shkak se ka ngrica në segmente të caktuara.

EMISIONET