Prova të reja për Teatrin, Kushtetuesja "hap letrat" që nga koha e Ahmet Zogut por s'pranon dëshmitarë
19 dokumente që nisin prej periudhës së mbretit Zog, e deri në vendimin për shembjen e Teatrit Kombëtar do të shërbejnë Gjykatës Kushtetuese për të vendosur se nga do të anojë peshorja. Në seancën e parë Presidenca dhe Aleanca për Teatrin kërkuan pavlefshmëri për veprimet që sollën shembjen e godinës. Ndërsa trupa refuzoi të thërriste dëshmimtarë Kryeministrin, kryebashkiakun Veliaj dhe 3 senatorët italianë.
Gjykata Kushtetuese pranoi kërkesën e Presidentit të Repubnlikës që institucionet në vend t’i vënë në dispozion 19 prova shtesë, që nga koha e Mbretit Zog kur është dhënë leja për ndërtimin e Teatrit Kombëtar deri tek vendimi për shembjen së godinës me 17 maji të 2020.
Autoritetet do të kenë afat deri me 8 qershor për të dorëzuar këto dokumenta, që sipas përfaqësuesit të Kreut të Shtetit do të dëshmonin se procesi i shembjes së Teatrit ishte antikushtetues.
7 anëtarët e Kushtetueses refuzuan kërkesën tjetër të Presidentit dhe Aleancës për Teatrin për të thirrur në seancë gjyqësorë dëshmitarë, duke nisur me 3 senatorë italianë, përfaqësues të Europa Nostrës, kryeministrin Rama si dhe përfaqësues të Bashkisë së Tiranës.
Bledar Dervishaj: Pati një rrëzim të kërkesës për dëshmitarë. Por nga ana tjetër gjykata vlerësoi dhe i dha mundësi palëve në proces të paraqiten me ekspertë të tyre të profesionalizuar për çështje të trashëgimisë kulturore. Kjo është një risi në këtë proces në Gjykatën Kushtetuese, i cili besojmë fort se do të risjellë drejtësinë kushtetuese në Shqipëri, në mbrojtje të vlerave të trashëgimisë kulturore kombëtare, të identitetit tonë kombëtar që për fat të keq u cenuar, por që mundet të rikuperohet dhe ka kohë tani.
Avokatja, Adriana Kalaja, e konsideroi një fitore e parë në betejën ligjore që sapo ka nisur në Gjykatën Kushtetuese.
Adriana Kalaja: Ne parashtruam disa kërkesa paraprake.Dy nga tre u pranuan, kjo është një fitore e momentit, beteja ligjore sapo ka filluar në Kushtetuese por jemi shumë të sigurt se ato që kemi kërkuar ne, mënyrën si e kemi ngritur çështjen do ta detyrojmë këtë gjykatë që të marrë vendimet pro Teatrit. U pranua kërkesa për marrjen provave që datojnë që në 1937, që kanë të bëjnë me blerjen e pronës ku është ndërtuar Teatri, veprimet e dhurimit të kësaj prone, veprimet e ndërtimit të dy godinave, kompleksit teatror, hapat që kanë hedhur të gjithë institucionet shqiptare nga 1944 deri në datë 8 maj 2020 kur u mor vendimi i transferimit të pronës. Kemi kërkuar që pjesë e këtij procesi të jenë të gjithë dokumentacionet që kanë shoqëruar ose prodhuar vendimin antiligjor sipas nesh numër 50 datë 14.05.2020 që lidhet me shembjen e Teatrit.
E pyetur se në cilën fushë do të kërkojnë ekspertizë duke qenë se Kushtetuesja u dha mundësinë të kërkojnë një ekspert, ajo u përgjigj:
Adriana Kalaja: E kemi parashtruar në kërkesat paraprake, jo vetëm jemi bashkuar me palën e Presidentit si palë e tretë që jemi këtu, kemi kërkuar përveç dëshmitarëve, mundësinë për të paraqitur ekspertë dhe gjykata e pranoi. Eksperti do të jetë në fushën e trashëgimisë kulturore, që ka dijeni të posaçme pasi gjithë ngërçi në këtë gjykim kushtetues është që palët e interesuara nga Kuvendi, Kryeministria, Ministria e Kulturës, Ministria e Financave dhe bashkia Tiranë sjellin argumentin se Teatri Kombëtar nuk ka qenë Monument Kulture, nuk ka qenë pjesë e mbrojtjes nga aktet ligjore në fuqi.Ne do të vërtetojmë që Teatri Kombëtar jo vetëm ka qenë pjesë e mbrojtjes, pjesë e zonës historike, jo vetëm ka qenë Monument Kulture, por heqja është bërë në mënyrë të qëllimtë për ti hapur rrugë prishjes së Teatrit.
Aktori dhe regjisori, Edmond Budina, e cilësoi si fitore këtë seancë të parë, me besimin se Gjykata Kushtetuese do të japë një vendim në favor të Teatrit.
Edmond Budina: Sistemi i drejtësisë së çdo vendi ruan moralin e një vendi.E ruan këtë moral por jo gjithmonë ligji përshtatet me moralin. Në rastin e Teatrit Kombëtar është e qartë si drita e diellit që morali dhe ligji janë bashkë, përputhen plotësisht sepse është një aferë e madhe korruptive dhe ne jemi besimplotë se Gjykata Kushtetuese do të japë një vendim plotësisht të drejtë sepse me Tetarin Kombëtar ringrihet demokracia në këtë vend.
Presidenit i Republikës në dy paditë e tij ka kërkuar shfuqizimin e Ligjit Special si dhe VKM për kalimin e truallit të Teatrit Kombëtar në pronësi të Bashkisë.
Pasi palët të njihen me materialin voluminoz prej 360 faqesh të sjellë nga Këshilli i Ministrave me datë 2 qershor si dhe me dokumentat e reja të kërkuara nga Kreu i Shtetit, palët do të duhet të jenë gati me 15 qeshor për përballjen e radhës para trupës me 7 anëtarë.


