Të rinjtë pa zë edhe në këtë 8 dhjetor, 23-vjeçarja: Politika është ende shumë larg kërkesave tona
Të rinjtë sot nuk e kanë mundësinë e gjetjes së një pozicioni pune për të cilën dhe kanë studiuar. Kjo i çon ata të kërkojnë punë të tjera jashtë fushës së tyre të specializimit. Të rinjtë thonë se kanë nevojë që zëri i tyre të jetë vendimmarrës dhe jo shkelës, në mënyrë që dhe rinia të mos emigrojë jashtë, ashtu siç po ndodh.
Rinia shqiptare po përballet me dilema dhe probleme të shumta sociale, ekonomike dhe politike.
Kështu të paktën shprehen të rinjtë. 23-vjeçarja, Mirela Haxhiaj, ka studiuar për gazetari dhe shkenca komunikimi, por edhe pse me arsimin e duhur ajo punon në një tjetër fushë.
"Jam e aftë ta bëj atë gjë dhe pse mos ta bëj. Por edhe realiteti me atë që mësojmë në Universitet apo idealizmin tonë janë tre gjëra komplet të kundërta."
Mirela thotë se politika e vendit tonë është ende shumë larg kërkesave të të rinjve.
"Në 10 të rinj, 1 apo 2 mund të shkojnë në profesionin e vet.Vertëm 20% e tortalit bëjnë punën për të cilën kanë studiuar."
Ajo thotë se shpesh herë të rinjtë hasen me situata ku nuk iu dëgjohet zëri i tyre.
"Vendet e punës zihen me mik. Kam miq dhe mikesha që kanë mbaruar arkitekturë dhe inxhinieri. Institucionet e shtetit që duhet të kenë vende vakante për studentët, nuk ka."
Por dhe pse ajo nuk ushtron punën për të cilën dhe ka studiuar, mendon se në Shqipëri ka ende shpresë.
"Shpresa vdes e fundit. Mund të kisha ikur në Itali, i kam dokumentat prej 5 vitesh por kam zgjedhur të luftoj për atë fije shprese që ka mbetur. Nëse nuk bëhet dyert për të ikur i kemi të gjitha të hapura."
23-vjeçarja thotë se të rinjtë sot kanë nevojë që zëri i tyre të jetë vendimmarrës dhe jo shkelës, në mënyrë që dhe rinia të mos emigrojë jashtë ashtu siç po ndodh prej vitesh.


