“Sundimi i Ligjit”, 22 të ndaluar në 24 orë, Balla: Rezultate edhe më të mira në vijim

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, ka njoftuar përmes rrjeteve sociale se Policia e Shtetit gjatë 24-orëve të fundit, në kuadër të operacionit “Sundimi i Ligjit”, ka arrestuar apo proceduar 22 persona.
Sipas Ballës, rezultate edhe më të mira priten nga Policia në ditët në vijim në vijim.
“Rritja e vigjilencës së Policisë së Shtetit, sigurimi i inteligjencës policore, analizat e riskut në kufi dhe bashkëpunimi me qytetarët po sjellin rezultate përditë, në drejtim të goditjes së shpërndarësve të drogës, të atyre që qarkullojnë me armë zjarri pa leje, të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, si dhe të tentativave për të trafikuar lëndë narkotike, jashtë vendit”, shkruan Balla.
“81 kg cannabis sativa, kokainë, armë zjarri dhe sende të tjera të kundërligjshme, të sekuestruara në Kukës, Lezhë, Tiranë, Durrës dhe Fier, në kuadër të operacioneve të Policisë të zhvilluara 24 orët e fundit. 22 shtetas të arrestuar/proceduar për këto paligjshmëri”, vijon Balla.
“Rezultate dhe më të mira presim në orët dhe në ditët në vijim, në kuadër të operacioneve të tjera kombëtare që po zhvillohen dhe do të intensifikohen për goditjen e paligjshmërive në të gjitha fushat që ato shfaqen”, nënvizon Balla.



