Steinmeier në Kryeministri: Europa duhet të jetë e hapur për zgjerimin drejt Ballkanit! Rama i jep dy dhurata

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamjet nga takimi që pati në kryeministri me presidentin gjerman, Frank Walter Steinmeier, në ditën e parë të vizitës së tij dyditore në Tiranës, e para e një kreu të shtetit gjerman pas 27 vitesh në Shqipëri.
Fillimisht ata patën një takim kokë më kokë dhe pastaj ju bashkuan delegacioneve.
Rama vlerësoi mbështetjen e Gjermanisë dhe Procesin e Berlinit.
"Procesi i Berlinit është ripërtërirë dhe falë tij kanë ndodhur shumë gjëra të mira për rajonin".
Steinmeier nga ana tjetër theksoi se jetojmë në kohë të vështira dhe pjesë e diskutimeve ishin dhe pasojat e luftës së Rusisë.
"Në këtë kohë, të konsiderojmë që Europa duhet të tregojë bashkim dhe vendosmëri”, tha Steinmeier.
Procesi i integrimit të Shqipërisë dhe reformat ishin gjithashtu në fokus.
"Kemi folur për reformat, reformën në sistemin e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit. Mendoj se progresi është i nevojshëm por progresi është i mundur. Europa duhet të jetë e hapur pë zgjerimin e nevojshëm drejt Ballkanit Perëndimor.Jam mjaft optimist, e di se ka një lloj pengese për shkak të pritjes derisa anëtarësimi do të formalizohet, përshtypja ime është se edhe qeveritë skeptike janë të bindura se ne duhet të përshpejtojmë procesin dhe kjo është gjë e mirë."
Në fund Rama nuk mund ta linte të ikte mikun gjerman pa dhurata, një libër dhe një pikturë. Edhe Steinmeier i dhuroi nga ana e tij diçka Ramës.
Presidenti gjerman do të qëndrojë dy ditë në Tiranë, deri më datë 2 dhjetor.
Vizita e tij vjen në kuadër të turit që ai po zhvillon në Ballkanin Perëndimor, ndërsa dy ditë më parë ishte edhe në Maqedoninë e Veriut.

