Ambasada ruse notë protestë për “spiunët”, MPEJ: Nuk ju informojmë pa kërkesën e të arrestuarve
Ministria e jashtme bën me dije se në bazë të konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore nuk mund ta informojë ambasadën ruse pa kërkesën e të arrestuarve si të dyshuar për spiunazh. Reagimi ka ardhur pas pretendimeve të palës ruse se ka dërguar një note proteste ndaj autoriteteve shqiptare për mos dhënie informacioni mbi të dhënat e personave të ndaluar.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar lidhur me pretendimet e ambasadës ruse në Tiranë se prej ditësh nuk i përgjigjet notës së kësaj ambasade, për informacion mbi ndalimin e shtetasve rusë për shkak të përpjekjeve për të hyrë me dhunë në zonë ushtarake.
Në të thuhet se të gjitha veprimet e ministrisë lidhur me këtë çështje janë në pajtim të plotë me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore të vitit 1963, si dhe me konventat për mbrojtjen e të dhënave personale, ku Shqipëria është palë.
Më tej theksohet se autoritetet shqiptare e kishin të pamundur të njoftonin ambasadën e Rusisë për ndalimin e këtyre dy shtetasve, sepse Konventa e Vjenës referuar më sipër, neni 36, pika 1.b e saj, përcakton se shteti pritës, në këtë rast Shqipëria, duhet të njoftojë për ndalimin e tyre përfaqësinë diplomatike të shtetit dërgues, në këtë rast Rusia, vetëm nëse të ndaluarit kërkojnë vetë të kontaktojnë ambasadën e tyre.
“Ndalimi apo fillimi i një procesi penal ndaj një personi është e dhënë personale e mbrojtur nga konventa ndërkombëtare ku Shqipëria është palë. Edhe në këtë kuptim, dhënia ambasadës së Rusisë e informacionit të ndalimit të këtyre shtetasve, do të ishte shkelje e angazhimeve ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në reagimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Teksa shprehet se është e gatshme të vërë në dispozicion të mediave të gjitha komunikimet me palën ruse, ministria e jashtme mohon pretendimet se nota verbale nga ambasada ruse të jetë dërguar para 4 ditësh dhe saktëson se ajo mban datën 22 gusht.
E pas këtij momenti ajo i është drejtuar me kërkesë për informacion autoriteteve kompetente. Por nuk ka asnjë kompetence tjetër për çështjen në fjalë, përveçse ndërlidhësit mes ambasadës ruse dhe strukturave të tjera shqiptare.


