Testohen maturantët, zhvillohet provimi i parë i maturës shtetërore, nxënësit të kënaqur

Pas një viti shkollor thuajse online, rreth 34 mijë maturantë i janë nënshtruar provimit të parë të maturës shtetërore, atij të gjuhës së huaj.

Për të shmangur grumbullimit në oborrin e shkollës, akomodimi i të rinjve në klasa nisi që prej orës 8:30.

Emocionet para provimit nuk i fshehën dot maturantët.

"Besoj se është pak e vështirë, pasi  ne gjithmonë jemi mësuar të bëjmë mësim në shkollë dhe mësimi online ka qenë pak i vështirë, por besoj se do dalim mirë," tha një maturante.

Disa prej tyre  ishin shoqëruar edhe nga familjarët, si rasti i kësaj gjyshe.

"Është kënaqësi ta shikoj, suksese dhe ishalla del mirë," tha gjyshja.

Provimi nisi në orën 10 dhe ndryshe nga një vit më parë, kur, diktuar nga pandemia zgjati dy orë, këtë vit rregulli ndryshoi, kohëzgjatja ishte 2 orë e 30 minuta.

Masa të tjera anticovid ishin ato të mbajtjes së maskës, distancës dhe dezinfektimit.

Përmbajtja e tezës ishte e alternuar mes pyetjeve me alternative dhe atyre me zhvillim.

Pas dy orë e 30 minuta maturantët dolën nga shkolla. Thanë se koha ishte e mjaftueshme dhe se testi ishte i një niveli mesatar.

"Me thënë të drejtën duke ditur se shumicën e kohës ne e kemi kaluar në pandemi dhe online, kisha përshtypjen që mund të ishte pak më i lehtë," tha një maturant.

"Nuk ishte shumë i vështirë, mund të bëhej nëse kishe mësuar," tha maturantja.

"Kemi kaluar një vit të vështirë, duke pasur parasysh dhe nxënësit që janë në rrethe vështirësia ishte mirë mendoj," tha maturantja.

 Pas përfundimit të këtij cikli, disa të rinj zgjedhin Shqipërinë për të vijuar studimet.

"Te akademia e arteve, aktrim," tha maturanti.

"Marketing, këtu në Shqipëri, pavarësisht se trendi i nxënësve shqiptarë është të largohen nga Shqipëria," thotë studenti.

 Por ka edhe të tjerë që synojnë universitet jashtë vendit, pasi në Shqipëri nuk shohin të ardhme.

"Unë mendon personalisht jashtë, nuk preferoj në Shqipëri. Nuk mendoj se ka aq mundësi sa jashtë," thotë studentja.

 Provimi i radhës do të jetë ai i gjuhës shqipe dhe letërsisë i cili do të zhvillohet në 7 qershor, me më pas provimet e tjera do të mbahen në një distancë kohore 4 ditë nga njëra tjetra.

 

EMISIONET