Socialistët nxitohen: Nesër në Kuvend shkarkimi i Metës. Nuk presin të dëgjojnë Presidentin

PS së bashku me opozitarët në ditët e fundit të mandatit të tyre i kanë hapur rrugë hetimit parlamentar për presidentin e Republikës Ilir Meta.

Pas dështimi të herës së parë, socialistët kërkojnë me ngulm që në tentativën e dytë të bëjnë gjithçka për ta larguar Ilir Metën nga posti i Presidentit me akuzën e shkeljes së rëndë të Kushtetutës gjatë periudhës para dhe pas zgjedhore.

Prandaj nuk humbin kohë por do të paraqesin nesër në seancë parlamentare kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Metës.

"Nëse ky komision hetimor do të konstatojë se që nga 2019 e sidomos gjatë periudhës zgjedhore 25 prill 2021, ka shkelje të rëndë me pasoja të rënda për Republikën ti propozohet shkarkimi"  tha Ulsi Manja.

Kreu i Shtetit, Ilir Meta, kërkoi nga "Ligjet" që të dëgjohet në një seancë të posaçme të hënën, pasi e kishte të pamundur të paraqitej në mbledhjen e 6 majit për shkak të axhendës presidenciale.

"Harku kohor prej më pak se 24 orësh, kurrësesi nuk mund të klasifikohet si “kohë e mjaftueshme”. Presidenti nuk mund të anulojë apo të shmangë agjendën e Tij, të datës 6 maj 2021, pasi do të presë në takime Ministren Federale për Çështjet Europiane dhe të Kushtetutës së Republikës së Austrisë dhe Presidentin e Republikës së Sllovenisë. Axhenda e Presidenti është e paracaktuar, dhe i mundëson zhvillimin e këtij takimi me anëtarët e këtij Komisioni, në datën 10 maj 2021".

Hyseni kërkon dënimin e Metës

Por për socialistët kjo është vetëm një tentativë e presidentit për ta shpallur të pavlefshme dhe është cilësuar nga socialistët si truk procedurial nga ana e Presidentit.

Pavarësisht se neni 112 i Rregullores së Kuvendit e detyron Komisionin që ta dëgjojë Metën, deputetët e Ligjeve nuk e mendojnë kështu pasi duhet të kapin afatin e fundit të 9 majit.

Alket Hyseni: “ Nëse ne do të arrijmë ta ngrejmë këtë komision para datës 9 maj do të jetë në përputhje me Kushtetutën.  Veprimtaria e këtij komisioni do të shtrihet deri më 9 korrik. Kërkesa e presidentit për tu dëgjuar në datën 10 është kërkesë tipike opozitare për tu shmangur me procedurë  sovranit.

Nëse do të bëhet në datën 10 do të ishte jashtë afatit. Prandaj nuk ka ardhur se i kishte të gjitha mundësitë. Do të ishte e mirëkuptueshme nëse presidenti mund të ketë qenë në vizitë jashtë vendit dhe koha mund të ishte e pamundur, por në këtë rast është moralisht i padrejtë dhe të jetë i dënueshëm”

Të premten (7 maj) në seancë plenare do të miratohet edhe propozimi për ngritjen e komisionit hetimor me një afat 1 mujor për të gjetur prova se si ta shkarkojnë Ilir Metën.

 “Momenti i ngritjes së komisionit hetimor duhet të jetë para 4 mujorit të fundit të mbarimit të kësaj legjislature. Kuvendi nesër në seancë plenare do të votojë për ngritjen ose jo të komisionit hetimor. Nesër do ta votojmë. Pastaj se kur e përfundon punën ky komision hetimor varet nga afati që do të përcaktojë. Nëse do ta përfundojë brenda afatit që cakton puna e komisionit hetimor konsiderohet e mbyllur puna e tij. Presidenti duke kërkuar datën 10 maj kërkon që kërkesën e 49 deputetëve socialistë ta nxjerrë jashtë afatin. Presidenti tenton të pengojë qëllimisht punën e kuvendit të Shqipërisë” u shpreh Ulsi Manja.

EMISIONET