"S'mund të mos ndajmë aq sa kemi!" Rama i ofron Kosovës energji për festën e ndërrimit të viteve

"S'mund të mos ndajmë aq sa kemi!" Rama i ofron

Kryeministri Edi Rama me anë të një statusi në twitter shpreh shqetësimin për krizën e rëdë energjitike që ka prekur Kosovën në këto ditë të fundit të vitit.

Kreu i ekzekutivit i ka kërkuar Ministrisë së Energjise që të vlerësojë çdo mundësi për të ndihmuar Kosovën që të mos u mungojë energjia elektrike në dy ditët e festës së ndarjes së viteve.

 “Shqipëria s'e ka aspak të lehtë mbrojtjen nga dallga e tërbuar e krizës energjitike që po kërcënon çdo vend, por në sekëlldira të mëdha apo në gëzime popullore siç është Viti i Ri, ne s'mund të mos e ndajmë me Kosovën aq sa kemi,” përfundon statusin e tij në twitter kryeministri Edi Rama.

Kosova po përballet me përkeqësim të situatës me energji elektrike dhe temperaturat e ulta kanë shtuar nevojë për importim të sasive shtesë të energjisë që Kosova nuk i përballon dot me prodhimin e saj.

Qeveria e Kosovës ka shpallur gjendjen e emergjencës për 60 ditë dhe ajo duhet të miratohet nga parlamenti i Kosovës, i cili nesër pritet të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme edhe më kërkesën e opozitës, e cila e akuzon qeverinë për mosveprim përballë një krize të paralajmëruar që në fillim të vjeshtës.

Qeveria ka ndarë mjete financiare për të mbështetur Korporatën Energjetike të Kosovës për të importuar energji elektrike ndërsa kryeministri Albin Kurti tha të hënën se në situatën aktuale nuk ka zgjidhje të mirë: ose shkurtime ose shtrenjtim të energjisë. Kryeministri Kurti shkroi të hënën në rrjetet sociale kriza energjetike është rrjedhojë e çmimeve të larta të importit dhe dobësimit të kapaciteteve prodhuese.

Aktualisht Kosova është e varur nga termocentralet me qymyr të cilat prodhojnë rreth 95 për qind e energjisë së përgjithshme të vendit ndërsa llogariten si ndotës të mëdhenj të mjedisit në Kosovë.

EMISIONET