Skandal/ OST bëhet ‘ligji dhe Maliqi’ vendos shtyllën e tensionit në pronë private. Zero kompensim për pronarët

Pronarët e 6000 metrave tokë në Farkë të Vogël kanë mbetur të tronditur kur në mënyrë të paprecedent gardhi rrethues i pronës së tyre është shkatëruar dhe dhjetëra punonjës kanë filluar të hapin gropa në mes të arës së mbjellë.

As çertifikata e pronësisë së Nazmije Pasmaçiut nuk  e ka ndaluar OST-në të zaptojë një pronë private. 

Pa komunikuar me pronarët e ligjshëm të truallit për punimet që do kryhen, firma zbatuese e  projektit ka shkatëruar të mbjellat dhe ka hapur gropa për vënien e shtyllës së tensionit të lartë. 

"Kishin hapur gropat për të vendosur shtyllat e tensionit të lartë, dhunim total. Kanë prishur gardhin dhe çdo gjë pas asnjë njoftim. Dhunim flagrant i pronës private. Kanë hapur rrugë, nuk ka pasur rrugë fare. Dhunim i pronës private."

Pronarët e truallit kanë njoftuar komisariatin e policisë Farkë në lidhje me dhunimin që po i behej pronës së tyre, por uniformat blu janë tërhequr, duke e lënë të hapur konfliktin midis firmës zbatuese  dhe pronarëve të ligjshëm.

‘Ora investigim’ ka mundur të kontaktojë me drejtuesin e  punimeve, i cili është shprehur se vendosja e shyllave të tensionit të lartë është një projekt i qeverisë gjermane për qeverinë shqiptare, por firma zbatuese nuk ka asnjë informacion nëse pronarët janë shpronësuar ose jo. 

Përgjegjësi i Punimeve: Po zbatojmë një projekt të qeverisë gjermane për qeverinë shqiptare nga OST.

Gazetarja: Po dhunoni një tokë private.

Përgjegjësi i Punimeve: Në toka private kalon investimi shtetëror.

Gazetarja: Keni folur me pronarët e truallit?

Përgjegjësi i Punimeve: Ne jemi zbatues.Jemi me gjithë dokumentacionin përkatës. Kemi leje ndërtimi për atë vepër.

Gazetarja: Por jeni në tokë private jo tokë shtet.

Pasi drejtuesi i punimeve u vu në dijeni të situatës u arrit një marrëveshje e përkohshme për ndalimin e punimeve.

Përgjegjësi i Punimeve: Ne kërkojmë një dokument nga të zotët e tokës që për momentin po ndërpriten punimet për 1,2, 3 arsye.

Gazetarja: Nga të zotët e tokës do kesh certifikatën e pronësisë dhe do shkojnë në gjykatë.

Disa minuta më pas punëtorët marrin urdhër tw mbledhin veglat dhe të largohen.

Në ditët në vijim ‘Ora investigim’ do të sjellë të tjera fakte tronditëse sesi OST shkel ligjin në emër të ligjit. 

EMISIONET