"S`ka infrastrukturë, shqiptarët ikin", Bashkia e Tiranës lë rrugët pa investime
Banorët në Tiranë po përballen për vite me radhë me mungesë investimesh, duke i vendosur përballë alternativës për të braktisur vendin. Rruga që lidh Farkën me Lundrën, prej vitesh është e degraduar, e banorët thonë se pavarësisht kërkesave, askush nga bashkia nuk ka reaguar. Përveç kësaj, ky akt në gjendje të rënduar përdoret çdo ditë nga mjetet e tonazhit të rëndë që e dëmtojnë rrugën edhe më tej.
Rruga që lidh Frakën me Lundrën është e degraduar.
“Fëmijët e mi janë larguar të gjithë, kam ngelur vetëm. Këtu janë kriminela fund e krye. Ska kushte, po të ketë kushte, kush ikën?
Vetëm unë me gruan jam në shtëpi, kanë ikur në kurbet, ska të ardhme,” thanë banorët.
Banorët thonë se askush nuk është interesuar për ti dhënë zgjidhje, kësaj problematike.
“Janë bërë ankesa shumë herë, po nuk ka vënë njeri ujin në zjarr,” tha banori.
Madje shprehen se kur Farka ishte komunë, kishte më shumë investime, se tani që fondet i menaxhon bashkia e Tiranës.
“Kur ishte komunë, të paktën e kanë hedhur ndonje llustër. Ka 8 vjet që nuk është hedhur asnjë lopatë,” tha banori.
Ankesën kryesore e kanë drejtuesit e automjeteve.
“Para një muaji unë, vetëm amortizim i makinës më ka shkuar 600 mijë lekë, kam ndërruar 4 amortoizatorë, makinë e ardhur nga Gjermania para 2 vitesh,” tha banori.
Rruga është lënë në harresë për investime, ndërkohë që makinat e tonazhit të rëndë vijojnë shkatërrimin e saj.
“Është 40 ton, por për mjetet e vogla është e vështirë. Mjerë këta fshatarë që janë këtu,” tha banori.
Të flasin, thonë se kanë frikë.
“Keq këto që janë kështu, po të flasin ju vjen fadroma. Kanë frikë,” tha banori.
Thonë se para 4 vitesh votën e shitën për një thes miell, por pasi mbaruan miellin, përballen me këtë gjendje të rrugës.
“Njoh shumë njerëz që me një thes miell e kanë ndërruar votën, flas për lagjen time, po them 70 përqind. Nuk pyetën për rrugë ata, thesi i miellit për dy javë, kurse për 4 vjet do rrahin kokën me grushta,” tha banori.
Banorët thonë se matje e studime janë bërë disa herë, por në asnjë rast nuk është vënë dorë për riparimin e aksit.
