"Sistemi i burgjeve ka pësuar ndryshime pas 2021"/ Prençi: Janë krijuar grupe të përbashkëta të të dënuarve

Në studion e emisionit “Ora e Betit” ishte i ftuar ish-drejtues i lartë i Policisë së Shtetit, Shemsi Prençi, i cili komentoi gjendjen e sistemit të burgjeve në Shqipëri dhe zhvillimet e viteve të fundit.

Ai ngriti shqetësime për mënyrën e administrimit të burgjeve pas vitit 2021, duke e lidhur këtë periudhë me ndryshime në drejtim dhe emërime në institucione.

"Sistemi i burgjeve ka pësuar ndryshime pas vitit 2021, me emërime që nuk janë bazuar gjithmonë në profesionalizëm, por në lidhje politike dhe detyrime të ndryshme."-tha Prençi.

Sipas tij, në këtë periudhë janë vendosur në drejtim të burgjeve persona jashtë sistemit profesional të policisë së burgjeve, çka ka ndikuar në funksionimin e tyre.

Ai tha se në të njëjtën periudhë janë futur në sistemin e vuajtjes së dënimit edhe figura të larta politike dhe persona të përfshirë në çështje të ndryshme penale, duke ndryshuar dinamikën brenda disa institucioneve.

"Në disa burgje janë krijuar grupe të përbashkëta të të dënuarve me profile të ndryshme, gjë që ka ndikuar në mënyrën e organizimit të brendshëm dhe kontrollit."-shtoi ai.

I ftuari përmendi edhe raste të mëhershme ku janë ngritur akuza për mungesë kontrolli dhe abuzime brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit, duke sjellë si shembull edhe probleme të raportuara në disa burgje të vendit.

Ai theksoi nevojën për rikthim të standardeve profesionale dhe largim të ndikimeve politike nga administrimi i sistemit penitenciar.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA E BETIT" NË ORA NEWS:

EMISIONET