Siguria rrugore, 5 drejtues mjetesh të gjobitur pas denoncimit të qytetarëve

Policia e Elbasanit njoftoi sot se ka gjobitur 5 drejtues automjetesh, pas denoncimit të bërë nga qytetarët.
Sipas Policisë, në kuadër të partneritetit të vazhdueshëm polici-qytetarë për të identifikuar dhe ndëshkuar shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor janë gjobitur me nga 3000 lekë gjobë, 5 drejtues automjetesh.
“Pas filmimeve të dërguara në strukturat e Policisë Rrugore të Elbasanit, përmes të cilave qytetarët kanë denoncuar raste të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, në dalje të autostradës “Tiranë-Elbasan”, shërbimet e Policisë kanë kryer menjëherë verifikimet e nevojshme. Nga këto verifikime janë identifikuar 5 drejtues mjetesh, të cilët duke lëvizur mbi vijën e bardhë kufizuese të karrexhatës, kanë shkelur nenin 144 të Kodit Rrugor, i cili sanksionin mosrespektimin e sinjaleve rrugore horizontale. Në bazë të pikës 2 të nenin 144 të Kodit Rrugor, secili prej këtyre 5 shtetasve u ndëshkua me masë administrative 3000 lekë”, njoftoi Policia.
Policia Rrugore e Elbasanit apeloi për të gjithë përdoruesit e rrugës, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor.

